Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 15:02

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi bëri sot thirrje që, “zgjedhjet vendore të 8 majit të zhvillohen korrekte dhe të qeta, në përputhje me ligjin”.

Gjatë punimeve të Konferencës Kombëtare për Qeverisjen Vendore, Presidenti e vlerësoi si të rëndësishme që këto zgjedhje të mbahen me qetësi të plotë pas një situate të tensionuar politike, gati-gati në pozicionet e një konfliktualiteti politik të shprehur.

“Zgjedhjet lokale duhet të zhvillohen në korrektësi sipas ligjit. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që ta vlerësojnë datën 8 maj, të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mos e shikojnë me indiferencë këtë proces”, theksoi Kreu i shtetit.

Ai kërkoi nga partitë politike që fushatën zgjedhore të mos e politizojnë, pasi qytetarët kanë nevojë të shikojnë alternime dhe sinkronizim idesh.

“Nuk është nevoja të bëjmë klimë dhe politikë negativiste. I bëj thirrje kandidatëve të bëjnë fushatë profesioniste dhe të tregojnë bonsens, që është i rëndësishëm për qytetarët”, theksoi Presidenti.

Ai u shpreh se ka mbështetur zhvillimin serioz të fushatës dhe realizimin e zgjedhjeve të 8 majit, si një detyrim në shtet demokratik, për të ndarë në mënyrë të qartë interesat e politikës qendrore me interesat specifike të pushtetit vendor.

“Dhe për ata që konsiderohen profesionistë në politikë, e kanë në mjaft raste të vështirë të ndajnë tematikën e politikës së madhe qendrore me atë lokale, ndërkohë që në vendet, që ne dëshirojmë t’i imitojmë në të gjitha standardet, e ndajnë këtë në mënyrë shumë të qartë”, nënvizoi Topi.

Ai shprehu shqetësimin për bllokimin e projekteve në këshillat bashkiakë.

“Kam parë shfaqje reale kur paradoksalisht, disa këshilla bashkiakë kanë bllokuar projekte thjesht për shkak të emocioneve politike apo të refleksioneve të deformuara që lidhen me politikën. Rasti ekstrem është në Tiranë. Ka një projekt të miratuar në 1989 dhe jemi në 2011 që nuk kemi marrë ende një vendim për projektin e unazës së madhe të kryqytetit”, theksoi Presidenti.