Lajme Shqip Saturday, 31 August 2013 11:05

Tiranë- Ndonëse shqiptarët do të duhet të presin mbledhjen e parlamentit më 9 shtator, shpresat për ish-kryetarin e Bashkisë së Tiranës, dhe Partinë Socialiste janë që tani shumë të mëdha për një “Kamelot të ri” (kështjella legjendare ku mbreti Artur mblidhej me kalorësit e tij) siç thotë një zyrtar i huaj. Qeveria e re është e tillë edhe sa i takon moshës së ministrave të saj. Në kabinet janë gjashtë gra dhe njëra është në detyrën e ministres së Mbrojtjes. Disa ministra, si p.sh. Erjon Veliaj, që më parë kanë drejtuar suksesshëm grupe antikorrupsion, janë kualifikuar jashtë politikës qendrore.

Shqiptarët ishin të gatshëm për një ndryshim nga ‘era’ e Sali Berishës, një figurë e rëndësishme që pushtoi politikën për dy dekada. Edhe pse Shqipëria është një nga vendet e pakta evropiane që nuk kanë përjetuar rënie ekonomike vitet e fundit, shqetësimet për krimin dhe korrupsionin kanë ndikuar në vonimin e integrimit të këtij vendi në BE. Pas tri vitesh përpjekjesh të dështuara, Shqipëria ka mundësi që ta fitojë statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor. Erjon Veliaj shprehet se qëllimi kryesor i qeverisë është rivendosja e autoritetit të shtetit: ndërtimet e paligjshme janë të shfrenuara ashtu sikurse edhe manipulimet dhe rryshfetet në sistemin mjekësor e atë edukativ. Ai kërkon të rishqyrtojë marrëveshjet e mëdha të prokurimit të fondeve publike. Gjithashtu shprehet mbi çrrënjosjen e evazionit fiskal dhe thotë se taksa e sheshtë e “padrejtë” do të zëvendësohet me një sistem të niveleve normale.

Disa nga premtimet elektorale do të jenë të vështira për t’u mbajtur. “A mund të krijojë 300 mijë vende të reja pune qeveria, të cilat i premtoi gjatë fushatës?”, pyet Albert Rakipi, drejtori i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare. Gerald Knaus nga instituti i Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë se Shqipëria ka mundësi të shumta, por ka gjithashtu një vizion të kufizuar. Gjatë dekadës së kaluar përjetoi një boom ndërtimesh që i përkisnin më shumë të ardhurave që sillnin emigrantët. Tani, i nevojitet nxitja e investimeve në industrinë e tekstileve dhe këpucëve, kjo e fundit që tani mbulon 29% të eksporteve, duke pasur si frymëzim vende të tjera të vogla si Estonia. “Njerëzit në Shqipëri janë të rinj, thotë Knaus, ndërkohë që vetëm 42% e popullsisë në moshë pune janë aktualisht të punësuar.

Edi Ramës i duhet të lëvizë shpejt. Të mëdhenjtë e partisë janë të pakënaqur: ata presin që të rimarrin vendet e punës pas zgjedhje. Por do të duhet të lëvizin përpara tani, ashtu sikurse do bëjë Ilir Meta, partner dhe në praktikë bashkëkryeministër me Ramën , sikurse thonë disa. Partia e tij më e vogël, rrëzoi qeverinë e mëparshme. Një Kamelot me karakteristika shqiptare./tema/