Lajme Shqip Sunday, 01 September 2013 11:01

Tiranë- ‘Edi Rama duhet të nxitojë. Senatorët e PS-së nuk do ta presin gjatë’. Paralajmërimi, kryeministrit të ardhshëm i vjen nga prestigjiozja “The Economist”. Në një artikull kushtuar Shqipërisë, revista britanike shkruan se emrat e mëdhenj të PS-së kanë mbetur të pakënaqur nga krijimi i Qeverisë së re, pasi prisnin që të vlerësoheshin me vende pune pas zgjedhjeve.

Sipas revistës, ata për momentin do ta mbështesin Ramën, ashtu siç do të bëjë edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Një bashkëkryeministër e quan “The Economist”, ndërsa shton: “Nëse ndonjë nga palët do të tregojë dobësi, thikat do të rishfaqen”. Artikulli citon ministrin e ardhshëm, Erion Veliaj, të theksojë nevojën për çrrënjosjen e evazionit fiskal. Sipas tij, taksa e sheshtë do të zëvendësohet me një sistem të drejtë taksash, por Veliaj në prononcimin e tij nuk përmend fjalën “progresive”. “The Economist” pohon se disa prej premtimeve elektorale të socialistëve do të jenë të vështira për t’u mbajtur. 300 mijë vendet e punës të premtuara në fushatë citohen në shkrim. Ekspertë të huaj të pyetur nga revista, shtojnë se Shqipëria ka mundësi të shumta, por ka gjithashtu një vizion të kufizuar. Ajo që revista britanike pohon me siguri është fakti se, pavarësisht nga kriza ekono-mike ndërkombëtare, Shqipëria arriti të mos bjerë në recesion.

“Një nga vendet e pakta evropiane që nuk kanë përjetuar recesion vitet e fundit”, thekson “The Economist”. Kreu i PS-së, Edi Rama dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, bënë koalicion të përbashkët një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Meta doli nga qeverisja pak para fillimit të fushatës elektorale, ndërkohë që në zgjedhje koalicioni i majtë fitoi thellë ndaj koalicionit të djathtë. Së bashku, Rama dhe Meta do të qeverisin për 4 vitet të ardhshme, duke përcaktuar dhe formulën e bashkëqeverisjes së tyre. LSI përfaqësohet me pesë portofole në kabinetin e ri qeveritar, i cili pritet të votëbesohet në parlamentin e ri në datën 9 shtator, datë kur do të hapet dhe legjislatura e re parlamentare.

Bashkimi i Metës me Ramën fillimisht u kundërshtua nga disa prej eksponentëve të PS-së, por më pas, kur fitorja ishte e madhe në shkallë vendi, këta zëra u shuan dhe secili prej tyre pret të marrë pjesën e tortës së pushtetit. Meta bashkëqeverisi me demokratët mandatin e kaluar, por pas largimit të saj, e djathta kaloi në opozitë. Madje pas humbjes së thellë, lideri historik i së djathtës, Sali Berisha dha dorëheqjen nga postet partiake, duke i lënë vendin kreut të ri Lulzim Basha. /BW/