Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 17:47

Prishtinë – Qeveria e Kosovës do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve kosovarë, pa dallim etnik dhe në çdo cep të Republikës, tha sot kryeministri Hashim Thaçi, gjatë vizitës në urën në rindërtim mbi lumin Sitnicë, mes fshatit serb Prilluzhë dhe fshatrave shqiptare në perëndim rrëzë malit Qyqavica në komunën e Vushtrrisë, ku siguroi se ky projekt që afron njerëzit është në interesin e të gjithëve e nuk është kundër askujt.

Në fshatin Prilluzhë, rreth 15 kilometra në veriperëndim të Prishtinës, serbët dhe strukturat e tyre paralele edhe me protesta dhe me një peticion kanë kundërshtuar rindërtimin e urës, e cila ishte shkatërruar që nga koha e luftës dhe është mbajtur e pakalueshme që andej të mos kalonin shqiptarët.

Ndërsa mesazhi i kryeministrit të Republikës së Kosovës gjatë vizitës në urën që do rilidhë dy brigjet e lumit Sitnicë ishte thirrja për komunikim, bashkëpunim e integrim. 
“I ftoj të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve që të komunikojnë mes vete, të bashkëpunojnë, që të integrohen dhe t’i bashkëngjiten institucioneve qendrore dhe atyre lokale”, theksoi kryeministri Thaçi.

Një ditë më parë në Prilluzhë ishte zv/kryeministri e ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviç, një nga përfaqësuesit e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, dhe për këtë edhe sot u vlerësua nga kryeministri Thaçi “për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm që të jetë pranë qytetarëve, të bisedojë me ta”.
“T’i dëgjojmë opinionet e qytetarëve, interesat e tyre, nevojat e tyre në mënyrë që si Qeveri të jemi pranë tyre, për të krijuar kushte edhe më të mira për punë, për jetë, por edhe siguri të plotë”, shtoi kryeministri kosovar.

“Prandaj, sot Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë, këtu nga Prilluzha, ju zotohem të gjithë qytetarëve të Kosovës në çdo cep të saj, se do t’u krijojmë siguri të plotë për jetë, për punë dhe rritje të mirëqenies sociale pa dallime etnike”, theksoi Thaçi. 
“Urat janë objekte që lidhin njerëzit, afrojnë dhe integrojnë ata dhe mundësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, prandaj kjo do të jetë një lehtësim i madh për një jetë më të mirë të të gjithë qytetarëve dhe të gjitha komuniteteve në këtë pjesë të Kosovës”, theksoi ai.

Duke folur më tej për rindërtimin e urës kryeministri Thaçi tha se “ka qenë një projekt i domosdoshëm dhe Qeveria e Kosovës, bashkë me autoritetet komunale ka akorduar fondin e nevojshëm. Presim që brenda 90 ditëve të përmbyllet faza që do të mundësojë lëvizjen e njerëzve, mallrave, por edhe të automjeteve”.

Ai shtoi se investimet janë për një jetë më të mirë të rritjes së mirëqenies sociale, për një modernizim të vendit.

“Ne do të investojmë në ndërtimin e rrugës së re në fshatin Prilluzhë, gjithashtu në kanalizim, ujësjellës dhe, gjithashtu edhe në sistemin e ri energjetik, në mënyrë që të kemi një integrim dhe një jetë shumë më komode dhe integruese të të gjithë qytetarëve që jetojnë këtu”, tha kryeministri i Kosovës.

Ndërtimi i urës mbi lumin Sitnicë afër Prilluzhës do të kushtojë 384 mijë euro, të financuara nga Qeveria e Kosovës.