Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 18:01

Prishtinë – Në takimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës, Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se tashmë Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare kanë qëndrime unike për veriun e vendit, që do të thotë se nuk do të ketë kthim në gjendjen e para 25 korrikut. Kjo është konfirmuar edhe nga Brukseli dhe nga Uashingtoni, ka thënë kryeministri Thaçi.
“Ajo gjendje është e pakthyeshme dhe definitivisht do të kemi respektim të plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, me ndërprerje të plotë të kontrabandës. Ky është një qëndrim shumë i avancuar, një qëndrim që kërkon natyrisht vazhdimin e angazhimeve tona të mëtutjeshme, në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi, sipas të cilit ekziston edhe konfirmimi zyrtar “nga deklarimet dhe qëndrimet e shefit të EULEX-it se EULEX do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe do të veprojë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.
“Vendimi për të futur në kontroll vendkalimet kufitare në veri të vendit ka qenë i vonuar dhe të gjithë zyrtarët ndërkombëtarë janë të befasuar se pse nuk është vepruar tash e 12 vjet nga ana e institucioneve të Kosovës. Pra, veprimi ka qenë i vonuar, por shumë i drejtë”, ka thënë kreu i qeverisë kosovare.  
Ai ka sqaruar se edhe Beogradi ka qenë i informuar se Prishtina do të marrë vendim për vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në tërë territorin e Kosovës.
“Beogradi e din se Kosova është vend sovran, është vend i pavarur. Kështu që vendimet tona kanë qenë kushtetuese, ligjore, të drejta dhe janë të pakthyeshme. Tash kërkohet vetëm implementimi i gjendjes së plotë kushtetuese dhe ligjore. Kur theksoj Beogradi ka qenë i informuar për vendimin e Qeverisë së Kosovës, e theksoj se të gjithë e kanë ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të tolerojë më tutje kontrabandën, krimin, grupet paramilitare, MUP-in serb, në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, tha ai.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është në ballafaqim me shkelësit e ligjit dhe një asnjë rrethanë me popullatën civile. Ne garantojmë siguri, mbrojtje, integrim të plotë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, potencoi Thaçi.