Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 11:34

Prishtinë- Kryeministri Hashim Thaçi do të vizitojë Brukselin më 7 dhe 8 dhjetor, ku pritet t’i dorëzohet udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave për Kosovën, bën të ditur agjensia “Kosovaonline” nga burime të Bashkimit Evropian.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Thaçi do të takohet me kryetarin e Këshillit të Evropës Herman van Rompuj dhe me përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton, nga të cilët edhe pritet ta pranojë këtë dokument, i cili i hapë rrugë dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Për këtë çështje, sipas këtyre burimeve të Brukselit, tashmë ekziston një konsensus i anëtarëve të Bashkimit Evropian për rolin konstruktiv që po luan Prishtina në bisedimet me Beogradin dhe përmbushjen e kritereve të përcaktuara.

Komisioni Evropian së fundi ka vlerësuar me nota pozitive progresin e arritur në Kosovë në fushat që lidhen me këtë proces, siç janë riatdhesimi dhe riintegrimi i personave të kthyer dhe regjistri civil.