Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 17:28

Bruksel-BE mbështet nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave me qytetarët e Kosovës si dhe perspektivën europiane të vendit. Kështu ka deklaruar presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy gjatë takimit që pati sot në Bruksel me kryeministrin Hashim Thaçi. Siç raporton REL, pas këtij takimi, Thaçi deklaroi se takimi ishte konstruktiv dhe është biseduar, për perspektivën e qartë evropiane të Kosovës. 

Kryeministri Thaçi, pas këtij takimi, tha se ka marrë mbështetje për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sikurse dhe për hapjen e perspektivën e përfshirjes së Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, sikur edhe për raportet tregtare me Bashkimin Evropian.

Duke folur para gazetarëve, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në Bruksel se pret udhëzime të qarta nga Këshilli i Bashkimit Evropian, për perspektivën evropiane të Kosovës. I pyetur të komentojë raportet e Ksoovës me Serbinë, kryemninistri u shpreh edhe një herë që Kosova dëshiron të ketë raporte të mira me të gjithë fqinjtë çfarë ka sot me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, dhe shpreson që raporte të tilla, si dy shtete të pavarura, të ketë edhe me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në takimet që ka patur në Bruksel edhe me deputetë të Parlamentit Evropian, ka shprehur qëndrimin e tij se Kosova që moti i ka përmbushur kushtet për të nisur dialogun e vizave dhe pret që kjo të nisë para fundit të këtij viti.

Ndërkohë, të mërkurën në Bruksel për Kosovën janë duke diskutuar edhe ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s. Pritet që në konkluzat, të cilat do të dalin më vonë gjatë ditës në fund të takimit, NATO-ja të shprehë mbështetje  për marrëveshjen e arritur ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve që në Kosovë quhet si marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufijve.

NATO-ja, po ashtu, do të kërkojë nga të gjithë që të bashkëpunojnë me praninë ndërkombëtare dhe të zbatohen marrëveshjet e arritura në dialogun që po e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Sipas NATO-s, zbatimi i marrëveshjes IBM, siç quhet, duhet të çojë menjëherë te liria e lëvizjes për të gjithë në veri të Kosovës. NATO-ja pritet të shprehë keqardhje për incidentet që kanë ndodhur në veri të Kosovës dhe të kërkojë nga të gjitha palët që të bashkëpunojnë me praninë ndërkombëtare dhe të përmbahen nga çdo akt i dhunës.