Lajme Shqip Wednesday, 22 August 2012 15:46

Nju Jork – Takimet e nivelit të lartë politik midis përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë nuk përjashtohen, por nuk do të ketë biseda politike për çështje të brendshme të Kosovës. Kështu pohoi kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në intervistën dhënë RTV 21 në Nju Jork.

Thaçi tha se integrimi i 30 mijë serbëve, të cilët jetojnë në veri të Kosovës, është obligim i institucioneve të Kosovës dhe si proces do të ndodhë nëpërmjet një dialogu të brendshëm në Kosovë dhe për këtë gjë nuk do të ketë negociata me Serbinë.

Sa i përket ngritjes në nivelit të përfaqësimit të Prishtinës dhe Beogradit në bisedimet teknike që po zhvillohen në Bruksel, Thaçi është shprehur i gatshëm për këtë, por ka përsëritur se vazhdimi I dialogut varet tërësisht nga zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Mbledhjen e djeshme të Këshillit të Sigurimit dhe adresimin e tij në këtë mbledhje, Thaçi e quajti edhe një rast të shkëlqyeshëm për promovimin e shtetit të Kosovës dhe shprehi kënaqësinë për faktin se pas vetëm 4 vjetëve e gjysme Kosovës do t’i hiqet mbikëqyrja e pavarësisë. (LajmeShqip.com)