Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 18:52

Prishtinë – Raportet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian janë të shkëlqyeshme dhe duhet t’i ruajmë si sytë e ballit, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi, duke mos pranuar të komentojë letërkëmbimin mes shefit të EULEX-it dhe Kryekuvendarit, Krasniqi, lidhur me heqjen e imunitetit për deputetët nën hetime dhe reagimin  e ambasadorit amerikan Kristofer Dell.

Kryeministri, Hashim Thaçi tha sot se qeveria nuk ka dërguar apo pranuar letra për sa i takon çështjes së imunitetit të deputetëve nën hetime, prandaj nuk ka pranuar as të komentoj për letërkëmbimin mes shefit të EULEX-it, Ksavier De Marnac dhe kryekuvendarit Jakup Krasniqi, sikundër nuk ka pranuar të komentoj as deklarimet e ambasadorit amerikan në Kosovë, Kristorfer Dell, për këtë rast. Por, kryeministri Thaçi ka tërhequr vërejtjen për ruajtjen e raporteve me SHBA-të dhe BE-në, të cilat i ka vlerësuar të shkëlqyeshme.

Reagimet u bënë pasi krye-kuvendari Jakup Krasniqi nuk ka pranuar kërkesën e shefit të EULEX-it, Ksavier De Marnac, që Kuvendi të miratoj një rezolutë për heqjen e imunitetit për deputetët që janë nën hetime.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Del, në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, tha se “me këtë qëndrim, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka zgjedhur të sfidojë komunitetin ndërkombëtar, të sfidojë miqtë më të mirë të Kosovës, në emër të mbrojtjes së një apo dy miqve të tij” .

Në konferencën për shtyp, kryeministri Thaçi foli edhe për rezultatet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në prag të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për marrëveshjet Kosovë -Serbi. Thaçi tha se është një keqkuptim se me Serbinë nuk është arritur marrëveshje apo kompromis. Ai bëri të ditur edhe takimin e zhvilluar me Veteranët e UÇK-së që po bëjnë grevë para ndërtesës së Qeverisë, dhe tha se shumë shpejt ligji për vlerat e luftës së UÇK-së, do të procedohet në Kuvend.