Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 14:21

Prishtinë-Raportimeve se riformatimi i Qeverisë së Kosovës do të ndodhë së shpejti dhe se do të preken pikërisht njerëzit më të fortë në Qeveri, kryeministri Hashim Thaçi të premten u është kundërpërgjigjur me lavdërime të mëdha për kabinetin e tij aktual qeveritar. Ai e ka quajtur kabinetin më të mirë dhe më cilësor në historinë politike të Kosovës.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se mund të bëhet edhe më tepër, mirëpo ka vlerësuar punën e ministrave duke thënë se po dëshmohen çdo ditë me punën e tyre.

“Sa i përket Qeverisë, përsëri e theksoj, ky kabinet qeveritar është më i miri, më cilësori që ka pasur ndonjëherë Kosova në historinë e saj politike. Në këtë kabinet qeveritar kemi një gjeneratë të re, të njerëzve që qeverisin në Kosovë dhe të një mentaliteti të ri plotësisht perëndimor, modern, me vizionin për zhvillimin e Kosovës, për rend dhe ligj dhe për përspektivë evropiane. Natyrisht mund të bëhet edhe më tepër dhe çdo ditë e më shumë gjithë ministrat po dëshmohen me punën e tyre”, është shprehur Thaçi.

Ai ka thënë se secili ministër është duke kryer përgjegjësinë e vetë në bazë të autoritetit dhe përgjegjësisë që i ka besuar, dhe se do të vijë koha kur do të bëhet vlerësimi i gjithë punës së Qeverisë, por edhe ministrave përkatës.

Ndryshe, siç shkruan gazeta “Express”, ridizajnimi i Qeverisë së Kosovës pritet të ndodhë gjatë dhjetorit, ose në janar të vitit të ardhshëm dhe një prej njerëzve që do të largohet nga qeveria do ta jetë edhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i cili do të nisë përgatitjet për kandidaturën e tij për president të Kosovës (kosovapress).