Lajme Shqip Wednesday, 05 June 2013 19:58

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar ambasadorët e Bashkimit Evropian të akredituar në Kosovë , të cilët i ka njoftuar për procesin e implementimit të marrëveshjes së arritur më 19 prill në Bruksel, në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Kryeministri Thaçi ka bërë të ditur se pas miratimit të planit të implementimit, Qeveria ka miratuar dhe më pas ka proceduar në Kuvend ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. 

Thaçi ka njoftuar ambasadorët për themelimin e grupeve punuese për implementimin e Marrëveshjes së 19 prillit, dhe ka bërë të ditur se është autorizuar zëvendëskryeministrja Edita Tahiri që ta koordinoj këtë proces. 

“Grupet janë në Bruksel dhe unë besoj që do të kemi rezultate pozitive” ka theksuar kryeministri Thaçi. 

Duke i falënderuar ambasadorët për mbështetjen e dhënë, kryeministri Thaçi është shprehur i bindur se do të prodhohen argumente të mjaftueshme në teren, në mënyrë që me 28 qershor, Kosovës t’i jepet negocimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si hap i parë në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit në BE. 

“Është e rëndësishme që MSA të jete substanciale, dhe procesi në fund të rezultojë me Kosovën si anëtarë e barabartë e BE” ka deklaruar ai. 

Kryeministri Thaçi ka siguruar ambasadorët e BE-së se zbatimi i marrëveshjes nuk do të ngecë apo vonohet për shkak të Kosovës, por ka thënë se pret që Serbia të ndajë të njëjtin përkushtim. 

“Pres që edhe Serbia ta ndajë të njëjtin përkushtim, ndonëse veprimet e fundit, si ajo në konferencën e Ohrit janë dëshmi e drejtpërdrejtë që në Serbi ende nuk janë mëshiruar me substancën dhe frymën e marrëveshjes” ka shtuar kryeministri Thaçi.