Lajme Shqip Friday, 02 November 2012 17:37

PRISHTINË- “Mbi politikat ditore, rezultati përfundimtar i procesit të dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, do të jetë njohja reciproke e të dyja shteteve”, tha sot mbledhjen e qeverisë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. 

Ai vlerësoi debatin e zhvilluar dje në seancën plenare të Kuvendit kosovar për procesin e dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku informoi për takimin në Bruksel, nën kryesimin e Bashkimit Evropian, me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç. 

Kryeministri i Republiks së Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi rëndësinë e madhe të vizitës së kësaj jave në Prishtinë të Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton dhe Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Baroneshës Catherine Ashton.
“Porosia dhe mesazhet e kësaj vizite do t’i shërbejnë fuqishëm të ardhmes së Kosovës dhe stabilitetit të rajonit”, theksoi kryeministri Thaçi.
Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka shqyrtuar raporte dhe vendime nga fushat e saja të përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese. 

Kabineti qeveritar kosovar diskutoi dhe miratoi Raportin Statistikor për zbatimin e Planit të Veprimit për Partneritet Evropian, i cili përshkruan dhe paraqet matjet e implementimit dhe është një përmbledhje e të dhënave të grumbulluara nga institucionet në baza vetëvlerësuese në mënyrë objektive. 

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi edhe vendimin për obligimet e bashkëfinancimit të ministrive në kuadër të Programit Kombëtar të Bashkimit Evropian të Instrumentit të Para Anëtarësimit (IPA 2012). (LajmeShqip.com)