Prishtinë -Kryeministri Hashim Thaçi, në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj sot pasdite, ka falënderuar gjithë spektrin politik kosovar për nxjerrjen e rezolutës mbështetëse për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Ai theksoi se kjo rezolutë mirëpret vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, që gjatë vitit 2012 të përmbyllet mbikëqyrja e pavarësisë.
“Kjo rezolutë e spektrit politik kosovar e aprovuar dhe e nxjerrë dje nga Kuvendi i Kosovës, është një mesazh i unitetit politik dhe qytetar, i përgjegjësive shtetërore, i respektimit të plotë të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, i respektimit të plotë të parimeve të planit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari”, theksoi kryeministri Thaçi .
“Ashtu siç kemi deklaruar edhe në takimin e Vjenës të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, ashtu siç kemi shprehur edhe dje në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe sot rishprehim zotimin tonë të fuqishëm, se qeveria e Republikës së Kosovës, në konsultim të ngushtë me udhëheqësit e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, gjithashtu në konsultim të ngushtë me anëtarët e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, do të punoj në kryerjen e të gjitha obligimeve që dalin nga dokumenti i presidentit Ahtisaari, në mënyrë që të përmbyllet suksesshëm ky proces gjatë vitit 2012”, theksoi kryeministri Thaçi.
Ai po ashtu theksoi se “viti 2012 vazhdon që të jetë vit i një angazhimi të gjithanshëm i gjithë spektrit politik kosovar, i institucioneve shtetërore për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe vazhdimit të implementimit të prioriteteve për Kosovën evropiane”.