Lajme Shqip Thursday, 25 August 2011 15:12

Prishtinë – Rendi dhe ligji janë prioritete kryesore për tërë territorin e Republikës së Kosovës, tha Kryeministri Hashim Thaçi sot në mbledhjen e qeverisë, duke shtuar se “institucionet kompetente të sigurisë janë të autorizuara që të punojnë me këmbëngulje në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore”.

Ai përkujtoi se Këshilli i Sigurisë Nacionale, pas bllokadave dhe incidenteve në veri, kishte vendosur që të rritet gatishmëria e institucioneve të sigurisë dhe theksoi se “këto institucione kanë autoritetin e plotë kushtetues edhe ligjor për vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, para së gjithash, për vënien para organeve të drejtësisë të gjithë atyre që kanë shkelur rendin kushtetues dhe ligjet e vendit”.

“Dhe, pasi  është në fuqi vendimi për nivelin e lartë të gatishmërisë së institucioneve të sigurisë, janë tani organet apo mekanizmat operativë që vendosin për çështjet operacionale në çdo kohë dhe e kanë mandatin e vendimit dhe vendimin që të veprojnë”, u shpreh kryeministri i Kosovës.

Ai tha se qeveria e Kosovës do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fuqishme e të gjithë atyre institucioneve dhe shtoi se “janë jashtëzakonisht inkurajuese deklarimet e faktorit ndërkombëtar për rend dhe ligj edhe në veri, në veçanti për ballafaqimin e institucioneve legale, institucioneve të Kosovës, por edhe atyre ndërkombëtare, për t’u përballur me strukturat ilegale dhe kriminale që funksionojnë në veri, në mënyrë që  të kemi rend demokratik, të kemi mundësi për funksionimin e institucioneve legjitime, por edhe për angazhimet tona social-ekonomike për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”.

“Prandaj, edhe lëvizjet e autoriteteve të sigurisë së Kosovës nëpër territorin e Kosovës për askënd nuk duhet të jenë  befati. Vendimi për rritjen e gatishmërisë është në fuqi”, theksoi kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se Kosova është në një fazë shumë të rëndësishme të konsolidimit të shtetit, edhe për rend e ligj, edhe për zhvillim ekonomik, edhe për procesin e njohjeve të reja në vazhdimësi.