Lajme Shqip Saturday, 26 November 2011 22:54

Prishtinë-Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sonte në Prishtinë kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, në një takim, pas të cilit, kreu i qeverisë kosovare tha se “biseduam për bashkëpunimin e ngushtë të Kosovës me Shqipërinë, ku një kontribut të rëndësishëm është duke luajtur edhe opozita, në mbështetje të angazhimeve për konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, përkatësisht në punën e tyre për sensibilizim dhe mbështetjen për njohjet e reja për Republikën e Kosovës”.

“Biseduam për bashkëpunimin në të gjitha sferat ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ne fushat ekonomike, diplomaticim arsim dhe kulture”, shtoi ai.

Gjithashtu, tha Thaçi, kjo vizitë është në prag të festave të nëntorit, të 99-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari, flamurit kombëtar.

Ne, tha Thaçi, do të vazhdojmë të bashkëpunojmë shumë fuqishëm për perspektivën e Kosovës evropiane, për perspektivën e Shqipërisë evropiane, për perspektivën e gjithë rajonit, një perspektivë evropiane.

Kreu i PS-së, Edi Rama, tha se “ishte si përherë kënaqësi e veçantë takimi me kryeministrin Thaçi, jo vetëm kryeministër i Kosovës, por edhe një mik i mirë dhe shumë i respektuar nga të gjithë ne, në një moment të rëndësishëm, momentin e vigjiljes të një feste të madhe, siç është festa e pavarësisë dhe ajo e flamurit, që unë kam privilegjin ta kaloj këtu, duke m’u dhënë mundësia që të vizitoj edhe kryeministrinë dhe vendet e simbolikës së madhe kombëtare”.

“Pata kënaqësinë që t’i dhuroj kryeministrit edhe një kopje të programit tonë të ri, programit të Partisë Socialiste dhe të opozitës shqiptare, ku një ide e rëndësishme që po zhvillojmë në aspektin e arsimit, është ideja e një sistemi të unifikuar arsimor të Kosovës dhe Shqipërisë, për t’u dhënë mundësi gjithë fëmijëve dhe të rejave dhe të rinjve, që të arsimohen dhe edukohen brenda të të njëjtit sistem”, tha Rama.

Padyshim , tha  Rama, rinënvizova edhe njëherë atë që është e njohur për të gjithë dhe që është vijë e drejtë dhe e palëkundshme jo vetëm për Partinë Socialiste dhe opozitën, por por për gjithë politikën në Shqipëri, në mbështetje të Kosovës, në mbështetje të udhëheqjes politike të Kosovës.