Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 00:41

Prishtinë, – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Karl Bild, në një takim ku temë kryesore ishin zhvillimet aktuale politike në Kosovë, forcimi i marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Suedisë dhe perspektiva evropiane e Kosovës.

Kryeministri Thaçi i shprehu ministrit të jashtëm suedez, Karl Bild, mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetjen që Suedia i ka dhënë dhe po i jep Kosovës në të gjitha sferat. Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi u shpreh për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale mes të dy vendeve në fushat me interes të përbashkët.

Sipas zyrës së shtypit të qeverisë kosovare, Thaçi prezantoi arritjet e institucioneve të Kosovës, përkushtimin e Qeverisë për përmbushjen e axhendës evropiane të integrimit, reformat në ekonomi, politikë dhe legjislacion dhe angazhimet për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit.

Në takim, kryeministri Thaçi theksoi se dialogu teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për institucionet e Kosovës është vlerë europiane, që do të ndikojë substancialisht në integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Karl Bild, u shpreh me tone pozitive për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe shtoi se ky bashkëpunim do të forcohet në të gjitha fushat.