Lajme Shqip Wednesday, 17 July 2013 15:32

 Prishtinë – Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi në mbledhjen e kabinetit qeveritar të mbajtur ditën e mërkurë ka vlerësuar si shumë të rëndësishme fillimin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu ai ka thënë se kanë mbetur edhe dy barrikada që së shpejti do të hiqen në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar dhe atë vendës. Thaçi ka ripërsëritur qëndrimin se janë duke u bërë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve edhe në veri të vendit, ndërkohë që ka ftuar të gjithë spektrin politik në veri që të marrin pjesë në zgjedhje. Kabineti qeveritar ka miratuar propozim-vendimin për fillimin e procedurave për themelimin e Komunës së Zhegrës.
Shefi i ekzekutivit të vendit, Thaçi ka thënë se fillimi i zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, është një hap shumë i rëndësishëm duke shtuar se pritet që së shpejti të hiqen edhe dy barrikadat në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Është jashtëzakonisht me rëndësi që i gjithë procesi i implementimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë mund të them se ka filluar së zbatuari me agjendën e plotë që përfshihet të marrëveshjes së 19 prillit. Tanimë lëvizja e lirë ka shënuar progres jashtëzakonisht të theksuar, tani policia dhe doganierët lëvizin lirshëm dhe shkojnë në pikën 1 dhe 31. Pra ka filluar në tërësi implementimi i marrëveshjen për IBM. Ka mbetur që të punohet për eliminimin e plotë të barrikadave, kanë mbetur edhe dy pa u larguar. Kjo do të bëhet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar”, ka theksuar kryeministri Thaçi, shkruan koha. 
Gjithashtu ai ka thënë se është me rëndësisë që të gjitha pikat policore serbe janë të mbyllura, gjë që është konfirmuar nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i. Ndërkohë tani fillon faza tjetër ajo e rekrutimit individual e qytetarëve serbë në Policinë e Kosovës. Kryeministri ka thënë se është shumë me rëndësi që tani është nxjerrë vendimi për mospranimin e asnjë lënde në gjykatat në veri.
Duke folur për përgatitjen e zgjedhjeve të 3 nëntorit në veri të vendit, ai ka kërkuar nga spektri politik i asaj ane që të marrin pjesë në zgjedhje.
“Jemi duke punuar maksimalisht me gjithë bashkësinë ndërkombëtare, por edhe me autoritetitin lokal në veri që të përgatitemi për zgjedhjet e 3 nëntorit. Ftoj gjithë spektrin politik në veri që të rris pjesëmarrjen në zgjedhje, që të organizohen në subjekte politike, apo lëvizje, apo shoqata që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Ne i kemi bërë edhe ftesë bashkësisë ndërkombëtare për monitorimin e gjithë procesit”, ka theksuar ai.
Për më tepër ai ka thënë se nesër Kosovën do ta vizitojë komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, ku do të sjellë edhe mesazhe shtesë për fuqizimin e rrugës evropiane të Republikës së Kosovës, qoftë për procesin e MSA-së dhe për procesin e liberalizimin e vizave