Lajme Shqip Sunday, 04 March 2012 15:25

Prishtinë- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e ka pranuar dje se marrëveshjet që po i arrin me Serbinë në Bruksel nuk kanë ndikim vetëm në procesin e integrimit evropian të Kosovës.

“Me marrëveshjet e arritura Kosova i ka ndihmuar vetvetes dhe evropianizimit të rajonit”, ka thënë kreu i Qeverisë, Thaçi, në një konferencë shtypi në Aeroportin e Prishtinës, menjëherë pas kthimit nga Brukseli ku ishte për një vizitë zyrtare.

Gjatë qëndrimit në qendrën e Bashkimit Evropian kreu ka qenë dëshmitar i shpalljes së vendimit që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për integrim. Vetë presidenti Herman van Rompuj, me të cilin edhe Thaçi ka pasur një takim, ka theksuar se vendimi është edhe rezultat i dialogut Beograd – Prishtinë.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar para një jave për formulimin e një fusnote, që do ta shoqërojë denominimin e emrit jokushtetues të shtetit, gjatë përfaqësimit të vendit në nisma rajonale.

Marrëveshja parasheh që “Kosovo*” të jetë denominimi i vetëm që do të përdoret dhe që fusnota ta ketë këtë tekst: “Ky emërtim është pa paragjykimin për statusin, dhe në linjë me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 si dhe Opinionit të GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.

E mungesa e arritjes së kësaj marrëveshjeje tetorin e kaluar la pa status kandidati Serbinë. Ndërkaq, Qeveria Thaçi ishte kritikuar se po e ndihmonte Serbinë në këtë proces, duke bërë lëshime në procesin e dialogut.