Lajme Shqip Friday, 24 February 2012 18:31

Prishtinë-Kryeministri Hashim Thaçi, në konferencën për shtyp sot pasdite, pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel për përfaqësimin rajonal të Kosovës, tha se formula në fusnotë nuk është ideale, por është e përkohshme.

“Unë jam shumë i vetëdijshëm që formula në fusnotë nuk është ideale, por është më e pranueshmja për momentin politik që po kalon shteti i Kosovës”.

“Unë jam i vetëdijshëm që veprimi i qeverisë nuk është shumë populist, por jam i bindur që është në të mirë të vendit”, shtoi ai. Por, vijoi Thaçi, “thelbi i të qenurit lider apo edhe kryeministër, qëndron në marrjen e vendimeve serioze dhe shpesh herë edhe të vështira”.

“Ky vendim që kam marrë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka qenë pikërisht i tillë. Si Kryeministër, unë jam shumë i bindur që kemi ndërmarrë vendimin e duhur për të ardhmen evropiane të shtetit të Kosovës”, tha Thaçi.

Sipas tij, “Kosova, me këtë marrëveshje u përcaktua për integrim dhe jo izolim. Kosova u përcaktua ta përfaqësojë vetveten e jo të përfaqësohet nga të tjerët”.

“Me këtë marrëveshje e larguam përgjithmonë UNMIK-n nga tavolina e përfaqësimit të Kosovës. Kjo marrëveshje, në asnjë rrethanë nuk e zbeh shtetësinë e vendit tonë. Përkundrazi, e forcon atë, duke i dhënë Kosovës vendin e saj të merituar në të gjithë mekanizmat ku do të përfaqësohet”, theksoi Thaçi. (LajmeShqip.com)