Lajme Shqip Wednesday, 19 December 2012 17:30

Prishtine – Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka deklaruar në mbledhjen e kabinetit qeveritar se platforma serbe për Kosovën nuk dallon shumë nga platformat e mëhershme të Serbisë. Por, ai ka theksuar se ka marrë mbështetjen nga bashkësia ndërkombëtare për këtë platformë se ajo nuk do të gjej zbatim dhe do të mbetet në sirtarët e dëshirave të Beogradit.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, kryeministri Thaçi ka deklaruar se Kosova ka qenë e përkushtuar dhe mbetet e përgjegjshme për fqinjësi të mirë me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve mes shteteve tona, që siç ka thënë ai me qëllim që të ecet përpara për të ardhmen e dy vendeve tona.

Sipas tij, Kosova në këto 15 vjetët e fundit ka qenë gjithmonë e përgjegjshme në raport me obligimet që ka marrë, me politikën e saj paqësore. Kështu ka qenë edhe para Rambujesë, por edhe në konferencën e Rambujesë dhe kështu ka qenë edhe në procesin e Vjenës.

Por, siç ka thënë ai, për fat të keq, ende ai mentalitet i vjetër i politikës së Beogradit dhe vazhdon të jetë i fuqishëm në Beograd, një mentalitet i tillë që solli probleme por edhe luftëra deri në përmasat e gjenocidit.

Kryeministri ka shtuar se sot përsëri në Beograd prezantohen ide dhe platforma që nuk i kontribuojnë stabilitetit në rajon, duke shtuar se këto projekte nuk janë platforma të reja.

“Edhe Kosova, edhe gjithë bota e di, që këto projekte bazën e kanë te elaboratet e vjetra në raport me Kosovën dhe shqiptarët, duke nisur nga Garashanini, për të vazhduar pastaj me planet e Karagjorgjevitit, Pashiqit për dëbimin e shqiptarëve, Ivo Andriqit e të tjerë. Gjithashtu për të rikonfirmuar këto plane djallëzore nga komunistët jugosllavë, Çubrilloviqi, Rankoviqi për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, por edhe nga viset e tjera. Kulmi i të gjitha këtyre projekteve u paraqit në 1986 me Akademinë e Shkencave të Serbisë, duke filluar implementimi nga Millosheviqi me ushtri dhe polici, deri në vitin 99. Andaj edhe ky plan i ri sot në Beograd, nuk është dicka e re, sepse Nikoliqi ka qenë pjesë e aparatit gjenocidal të Millosheviqit.”, ka theksuar kryeministri.

Për më tepër, ai ka shtuar se ky projekt i Tomisllav Nikoliqit nuk do të jetë i realizueshëm, pasi që siç ka thënë Thaçi, për këtë ka marrë mbështetjen edhe të bashkësisë ndërkombëtare.

“Sa i përket këtij plani antievropian, anticivilizues dhe kundër paqes në Kosovë dhe rajon kam biseduar me të gjitha autoritetet ndërkombëtare dhe mund të them se ai projekt do të mbetet në sirtarët e dëshirave të Beogradit, siç kanë qenë të gjitha projektet, nga Garashanini, deri te presidenti aktual Nikoliq”, ka deklaruar Thaçi.

Shefi i ekzekutivit të vendit ka thënë se ka ide të ndryshme edhe në Kosovë nga individët, por ka shtuar se Kosova do të sillet konform standardeve evropiane, konform zotimit, qëllimit dhe vizionit tonë evropian, për Kosovën e re evropiane.

Ai ka shtuar se shteti i Kosovës do ta respektojë kushtetutën e vetë, ligjet e veta dhe dokumentin e Ahtisaarit.(LajmeShqip.com)