Lajme Shqip Wednesday, 07 March 2012 14:40

Prishtinë-Kryeministri Hashim Thaçi tha se gjitha institucionet duhet të përmbushin obligimet që dalin nga Pakoja e Ahtisarit deri në fund të qershorit në mënyrë që, në shtator, Grupi Ndërkombëtarë Mbikqyrës  të merr vendimin për përfundimin e këtij procesi.

Ai iu bëri thirrje gjitha institucioneve të vendit që të shtojnë përkushtimin në përmbushjen e Pakos së Ahtisarit.

Nëse kjo arrihet atëherë, sipas kryeministrit përmbyllja e pavarësisë së mbikqyrur do të ndodhë në mes të shtatorit përmes një ceremonie të veçantë.

Kryeministri bëri të ditur se një grup punues tashmë ka përfunduar punën në amandamentimin e Kushtetutës që kanë të bëjnë me përfundimin e pavarësisë së mbikqyryr.

Qeveria e Kosovës është tashmë e bindur se procesi i përfundimit të pavarësisë së mbikqyrur do të përfundojë gjatë këtij viti pavarësisht problemeve në veri.

Pas mbledhjes së qeverisë, zëvëndëskryeministri Hajredin Kuqi tha se ky proces nuk mund të mbesë peng i problemeve në veri.

Kuqi tha se për veriun do të gjendet zgjidhje vetëm në bazë të Planit të Ahtisarit dhe mohoi të jap përgjigje nëse çështja e veriut do të jetë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 

Ndërkaq sa i përket paralajmërimeve për mbajtjen e zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë Kuqi tha po ashtu se Serbia duhet të ketë sjellje evropiane dhe të mos e cenojë sovranitetin e fqinjëve të saj. Ai tha se ato zgjedhje nuk do të kishin kurrfarë fuqie  juridike. (LajmeShqip.com)