Lajme Shqip Friday, 16 November 2012 16:01

Prishtinë – Pavarësia e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë në tavolinën e bisedimeve.

Kryeministri Hashim Thaçi teksa raportoi për takimin e fundit me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel, tha se pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, asnjëherë nuk është i diskutueshëm. Ai tha se ëndrra e Serbisë për ndarje, do të mbetet gjithnjë ëndërr e parealizueshme.  “Të gjithë janë të vetëdijshëm që pretendimi për ndryshimin e kufijve do të hapte Kutinë e Pandorës dhe do të  prodhonte sërish konflikte dhe luftëra në Ballkan. Tashmë edhe BE-ja çdo ditë e më shumë është duke e artikuluar qartë këtë çështje, duke ia bërë me dije Serbisë që ëndrrat e saj për ndarje, do të mbesin gjithmonë ëndrra të parealizueshme”.

Thaçi renditi gjashtë çështjet që janë diskutuar në takimin e dytë me Daçiqin, duke vënë si prioritet kryesor çështjen e të pagjeturve. Ai tha se për këtë qëllim ka pajtueshmëri që të intensifikohen grupet punuese për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Ndërkohë edhe Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit ishte një çështje e rëndësishme në këtë takim, për të cilën, kryeministri tha se ka edhe rezultate. Ai garantoi se roli i EULEX-it, në të gjitha pikat kufitare me Serbinë do të jetë i njëjtë. Kreu i Qeverisë foli edhe për financimin e komunitetit serb në Kosovë nga Serbia, duke thënë se Kosova nuk ia mohon këtë të drejtë Serbisë. Përfaqësuesit e koalicionit qeverisës i dhanë mbështetje të mëtejmë vazhdimit të dialogut dhe takimeve të kryeministrit Thaçi me homologun serb Daçiq. Edhe Ismet Beqiri nga LDK-ja shprehu sërish mbështetjen e LDK-së për dialogun, duke e respektuar Rezolutën e Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa Glauk Konjufca, nga Vetëvendosje, duke lënë një flamur kombëtar në foltore, kërkoi që kryeministri të betohet para flamurit se kurrë nuk do të bëjë pazar me territorin e Kosovës. Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, tha se duhet të ketë një konsensus më të gjerë në këtë dialog me Serbinë. Ndryshe, kryeministri Thaçi ditë më parë ka raportuar edhe për takimin e parë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, ashtu siç e obligon edhe Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Takimi i tretë ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton parashihet të zhvillohet në muajin dhjetor, por për datën e takimit, kryeministri Thaçi tha se ende nuk e di as vetë.(LajmeShqip.com)