Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 18:45

Prishtinë-Perspektiva evropiane për Kosovën është përkthyer në një ofertë konkrete, në mënyrë unike nga të gjitha shtetet e BE-së, tha sot pasdite kryeministri Hashim Thaçi, në një konferencë shtypi pas kthimit nga vizita zyrtare në Bruksel.

“Samiti i djeshëm konfirmoi konkluzionet e Ministrave të Jashtëm, që për Kosovën parasheh shumë qartë: hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave, hapjen e negociatave për marrëdhënie tregtare, qasjen e Kosovës në programet e Komunitetit dhe anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim- EBRD”, theksoi ai.

Duke pasur 1/3 e qytetarëve në diasporë, kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian, për familjet tona, procesi i liberalizimit të vizave është mbase më i rëndësishmi, tha Thaçi.

Ai vlerësoi se vendosja e marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me BE-në përmes marrëveshjes tregtare dhe qasjes në programet e komunitetit, shënon një kapitull të ri historik për relacionin në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Jam shumë i vetëdijshëm për sfidat që kemi, sidomos në fushën e rendit dhe ligjit, luftimin e korrupsionit dhe reformën e administratës publike”, tha Thaçi, duke garantuar se të gjitha detyrat që dalin nga ky proces do t’i përmbushim në një afat rekord.

Dje, shtoi ai,  po ashtu u konfirmua fakti që qasja konstruktive dhe e përgjegjshme evropiane, të cilën e kemi dëshmuar në procesin e dialogut me Serbinë, ka shkuar në dobi të Kosovës dhe askujt tjetër.

“Shpeshherë, padrejtësisht dhe në mënyre naive jemi akuzuar se po ia përshpejtojmë rrugën Serbisë për BE, përmes dialogut që ndodhte në Bruksel. Në fakt, ndodhi ajo që pritej të ndodhte, e kundërta pra: për herë të parë, edhe zyrtarisht, rruga e Serbisë për në BE kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me shtetin e Kosovës. Nga Brukseli prapakthim në këtë standard evropian nuk do të ketë”, siguroi kryeministri Thaçi.

Kosova, vijoi ai,  është e zotuar për fqinjësi të mirë, dhe edhe sot e konfirmoj që ne duam dhe punojmë për evropianizimin e rajonit dhe ndërtimin e raporteve të shëndosha në mes nesh, me të gjithë fqinjët, edhe me Serbinë.

“Të bashkuar rreth vizionit, për Kosovën demokratike, mirë qeverisëse, të sundimit të ligjit, të reformave demokratike, mund dhe do ta bëjmë Kosovën Evropiane, do ta anëtarësojmë në NATO dhe në BE në mënyrë meritore”, përfundoi deklaratën e tij kryeministri Thaçi.