Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 16:25

Prishtinë -Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u takua sot me kryetarin e komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Luginën e Preshevës, për avancimin e të drejtave qytetare dhe nacionale të shqiptarëve në këtë rajon dhe për tema të tjera me interes.

Kryeministri Thaçi ritheksoi në takim mbështetjen e qeverisë së Republikës së Kosovës për shqiptarët e Preshevës, por edhe për ata të Bujanocit dhe Medvegjës për avancimin substancial të pozitës së tyre.
Kryeministri theksoi përkushtimin e qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Kosovës për krijimin e lehtësirave për të gjitha ata qytetarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që dëshirojnë të kryejnë studimet universitare në Kosovë.

Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, e informoi kryeministrin Thaçi me gjendjen aktuale në Luginën e Preshevës dhe në këtë kuadër theksoi angazhimin e partive politike shqiptare për përmirësimin e kësaj gjendje, në funksion të krijimit të një të ardhmeje më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë banorët e këtij rajoni. (LajmeShqip.com)