Lajme Shqip Thursday, 21 July 2011 15:32

Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaçi hodhi poshtë pohimet se konkluzat e arritura mes delegacionit të qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë, në Bruksel, janë marrëveshje ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës nuk ka nënshkruar asnjë lloj marrëveshje ndërkombëtare, apo traktat me Serbinë, që do të kishte fuqinë ligjore që të ratifikohej në Kuvendin e Kosovës.

Këto komente, kryeministri Thaçi i bëri në përgjigje të pyetjese së deputetetes së Vetëvendosjes, Alma Lama e cila tha se konkluzionet e arritura nga ekspertët, konsiderohen si marrëveshje.

Në vazhdim të seancës, Kuvendi miratoi disa projektligje, ndër të cilët edhe ai për dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ministri i zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj theksoi rëndësine që ka ligji, i cili do të merret me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me problemet që dalin nga procesi i privatizimit.

Në seancën e sotme, Kuvendi miratoi edhe disa projektligje si: atë për bashkëpunim ndërkomunal dhe partneritet, projektligjin për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme dhe për Këshillin Ekonomiko-Social.