Lajme Shqip Wednesday, 16 March 2011 19:02

Prishtinë – Qeveria  e Kosovës nuk heq dorë nga rritja e pagave. Kryeministri Hashim Thaçi ka bërë me dije, të mërkurën, se projektbuxheti i viti 2011 është çështje e përfunduar, ndërsa, sipas tij, diskutimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar kanë shënuar përparime dhe do të vazhdojnë edhe më tutje.

 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë me dije se projektbuxheti i vitit 2011 është çështje e përfunduar. Me gjithë disa mosmarrëveshjeve, sipas tij, me Fondin Monetar Ndërkombëtar, rreth rritjes së pagave, Thaçi tha se bisedimet kanë shënuar përparime dhe do ta vazhdojnë edhe më tutje.

 

Kreu i Qeverisë së Kosovës, po ashtu, ka bërë me dije se Kosova është shtet i pavarur dhe “të gjithë punëtorët kosovarë kanë të drejtë të kalojnë nga ndihmat sociale në paga normale”.

 

Kreu i ekzekutivit, gjithashtu, beson shumë se buxhetin këtij viti do ta përkrahin edhe partitë opozitare. Thaçi, megjithatë, tha se koalicioni qeverisës ka numra të mjaftueshëm, edhe nëse kjo nuk do të ndodhë.

 

Ndryshe, pas përfundimit bisedimeve midis Qeverisë dhe FMN-së, kjo e fundit ka lëshuar një komunikatë, ku thuhet se e ka vlerësuar performancën ekonomike dhe atë të sektorit financiar të Kosovës. Por, nga ana tjetër, thuhet se diskutimet mbi buxhetin kanë avancuar dhe do të vazhdojnë për çështjen e rritjes së pagave.