Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 16:12

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se shteti i Kosovës i ka qëndrimet e qarta sa i përket bisedimeve me Serbinë.

Ai tha se gjithçka do të shkojë sipas planit të Ahtisaarit dhe se çdo tejkalim i këtij plani do të jetë i papranueshëm për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi edhe një herë ka përsëritur sot pas mbledhjes së Qeverisë se Kosova asnjëherë me Serbinë nuk do të flas për integritetin territoriale dhe çështjen e kufijve.

 

Duke komentuar rrjedhën e bisedimeve teknike që po mbahen në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, Thaci tha se shteti i Kosovës i ka qëndrimet e qarta sa i përket këtyre bisedimeve. 

Ai tha se gjithçka do të shkojë sipas planit të Ahtisaarit dhe se çdo tejkalim i këtij plani do të jetë i papranueshëm për Kosovën. Kryeministri gjithashtu tha se menaxhimi i integruar i kufijve është model evropian dhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kreu i ekzekutivit edhe një herë ka shprehur gatishmërinë e  tij për takim me qytetarët serbë të pjesës veriore të vendit, por jo edhe me strukturat paralele dhe kriminale. 

Ndërkaq kryeministri Thaçi ka shprehur besim se Kosova javën e  ardhshme do ta marrë edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, pasi sipas tij kjo gjë është dashur të ndodhë para dy vitesh për shkak se Kosova tashmë veç i ka plotësuar të gjitha kriteret.

 

Qeveria e Kosovës  në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar edhe disa projekt- rregullore ndër to projekt rregulloren  për kriteret e përzgjedhjes dhe vendosjen e fotografisë së presidentit apo presidentes së Kosovës, dhe propozim vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 460 mijë uro për Ministrinë e Administratës Publike për harxhimet shtesë të kësaj ministrie.