Lajme Shqip Sunday, 20 March 2011 13:28

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi  ngushëlloi presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama dhe popullin amerikan, me rastin e vdekjes së ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Warren Christopher, të cilin e vlerëson si diplomat të përmasave botërore dhe pjesë substanciale të politikës amerikane për të mbështetur lirinë, pavarësinë dhe demokratizimin e Kosovës.
“Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të diplomatit të përmasave botërore, ish-sekretarit amerikan të Shtetit, z. Warren Christopher”, thuhet në telegram.
Kryeministri Thaçi vlerëson se Sekretari Christopher ishte ndër politikanët dhe diplomatët më të shquar amerikanë, që dha kontribut të çmuar në të gjitha periudhat, duke promovuar dhe mbrojtur vlerat më kulmore të paqes, lirisë, demokracisë dhe zhvillimit në mbarë globin.
“Diplomati Christopher ishte pjesë substanciale e politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur lirinë, pavarësinë dhe demokratizimin e Kosovës. Qeveria dhe populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për kontributin e z. Christopher për Kosovën”, thekson kryeministri Thaçi.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, përfundon telegrami i ngushëllimit i kryeministrit Thaçi dërguar presidentit amerikan Obama me rastin e vdekjes së ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Warren Christopher.