Lajme Shqip Saturday, 08 August 2015 14:40

Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi është njeriu kryesor që do të merret me negocimin e marrëveshjeve ndërkombëtare sa i përket Gjykatës Speciale. Ndërsa, BE do të kujdeset për buxhetin dhe procedurat e tjera deri të momenti kur do të nisin gjykimet e para të udhëheqësve të UÇK-së.

Deri më tash dihet se pjesë e akuzave do të jenë hierarkia e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, të cilët do të përgjigjen për krimet e luftës dhe të pasluftës.

Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi është njeriu kryesor që do të merret me negocimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për themelimin e Gjykatës Speciale.

Në cilësinë e Ministrit të Punëve të Jashtme, Thaçi do të negociojë marrëveshjen me Holandën, ku pritet të jetë një pjesë e objektit të Gjykatës Speciale.

Sidoqoftë, themelimi i Gjykatës tash është në kompetencë të BE’së, ndërsa, negocimi i marrëveshjeve në duart e MPJ’së.

“Tash është kompetence e BE ndërsa negocimi i marrëveshjes bëhet nga MPJ”, ka thënë një zyrtar i Qeverisë së Kosovës, për Gazetën Express.

Bashkimi Europian pritet të ndajë buxhetin për Gjykatën Speciale dhe të nis procedurat për funksionalizimin e saj.

Deri në fund të vitit s’do të ketë mundësi për t’u ngritur aktakuzat e para kundër ish-udhëheqësve të UÇK’së, të cilët do të gjykohen nën dyshimin se kanë kryer krime të luftës dhe të pasluftës.

Dihet vetëm se në këtë Gjykatë do të gjykohen udhëheqësit kryesor të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, por askush deri më tash s’i di saktësisht emrat e atyre që do të përballen me drejtësinë ndërkombëtare.

Megjithëkëtë, deri më tash, janë përmendur emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Agim Çekut, Xhavit Halitit, Duat Haradinajt, Rexhep Selimit, Sami Lushtakut etj, të cilët do të ulen në bankën e të akuzuarve për krime të luftës e të pasluftës.

Ndryshimet kushtetuese dhe ligjet për Gjykatën janë miratuar në Kuvendin e Kosovës me miratimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës.