Lajme Shqip Saturday, 24 March 2012 11:35

Në takimet dhe bisedat e shpeshta që ka pasur Boris Tadiç  javëve të fundit me shefen për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, një nga premtimet e bëra nga lideri serb ka qenë relaksimi i marrëdhënieve me Kosovën, në rast se ai ndihmohet për të mbajtur pushtetin në Serbi.

Pak para se Serbia të fitojë statusin e kandidatit, gjatë një prej bisedave që Tadiç ka pasur me baroneshën britanike në krye të diplomacisë evropiane është folur shumë për mënyrat se si Partia Demokratike e Serbisë duhet ndihmuar për të fituar zgjedhjet, në këmbim të shtendosjes së marrëdhënieve Kosovë – Serbi, shkruan “Zëri”.

Kjo dhe gatishmëria e shprehur për takim nga të dy liderët më të fuqishëm në Prishtinë dhe Beograd, kanë nxitur përfaqësues ndërkombëtarë që të planifikojnë konkretisht takimin Tadiç – Thaçi.

Gazeta “Zëri” shkruan se ka marrë vesh nga burime të saj në Bruksel, se takimi po planifikohet për t’u zhvilluar pas zgjedhjeve të 6 majit në Serbi, ndërsa vendi ka shumë gjasa të jetë Sarajeva, kryeqyteti i Bosnjë e Hercegovinës.