Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 19:49

Prishtinë – Në Bruksel tashmë ka koncensus të plotë për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës, tha kryeministri Hashim Thaçi.

Pas kthimit nga vizita në Bruksel, në konferencën për shtyp, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, ai tha se agjenda evropiane e Kosovës gjithnjë e më shumë po qartësohet.

“Vizita në Bruksel, posaçërisht takimi me baroneshën Ashton, ka qenë i një rëndësie të veçantë, sepse axhenda evropiane për Republikën e Kosovës gjithnjë e më tepër po bëhet më e qartë, në veçanti sa i përket liberalizimit të vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Evropian”, tha kryeministri Thaçi. “E ardhmja e shtetit të Kosovës është e ardhme evropiane, është e vetmja rrugë”, theksoi ai.

“Në Bruksel tashmë ka konsensus të plotë për të ardhmen dhe perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës dhe të rajonit”, tha Thaçi, duke folur pastaj në veçanti për shtetin e ri evropian.

“Ajo çka është më rëndësi është se edhe në Kosovë ka konsensus për të punuar për perspektivën evropiane, për të punuar bashkërisht i gjithë spektri politik, pra një konsensus ndërpartiak dhe gjithetnik”, u shpreh ai.

Kryeministri kosovar paralajmëroi se “tani presim një proces shumë më dinamik të procesit të anëtarësimit të Kosovës në EBRD për të cilën kemi siguruar 42 vota të mjaftueshme”.

“Me një letër i jam drejtuar edhe z. Oli Rehn, që kjo çështje të procedohet sa më shpejt që është e mundur”, shtoi ai.

Gjithashtu, tha kryeministri kosovar,  një nga temat e diskutimit me baroneshën Ashton, ka qenë edhe raportet e Republikës së Kosovës me fqinjët. “Brukseli e ka mirëpritur dialogun, e ka lehtësuar dhe udhëhequr së bashku me SHBA-të”, theksoi ai.

“Prandaj, edhe dakordimi i fundit për tri çështje të caktuara mes delegacionit të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, janë shumë mirëpritur në Bruksel”, shtoi Thaçi.

Ai u shpreh se “janë marrëveshje të modelit evropian, sa i përket nostrifikimit të diplomave, që ka qenë çështje vazhdimisht e diskutueshme dhe e kërkuar prej shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të cilët e kanë mirëpritur dhe i kanë duartrokitur kësaj marrëveshje”.

“Gjithashtu sa i përket lëvizjes së lirë, edhe lëvizjes së mallrave, është diçka e re, aspekt teknik, por e domosdoshme edhe për qytetarët e Kosovës dhe gjithë rajonit dhe në të njëjtën kohë edhe sa i përket regjistrit civil dhe çështjeve të tjera teknike që do të vijnë në proces e sipër”, përfundoi kryeministri Thaçi.