Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 14:22

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i mbështesin komisionet parlamentare që do të bëjnë ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimet në Ligjin e Zgjedhjeve, duke thënë se këto reforma do të bëjnë forcimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Thaçi  theksoi se reforma zgjedhore ka qenë një prioritet i Qeverisë së Kosovës dhe për këtë është arritur marrëveshja politike që reformat të implementohen sa më shpejtë që është e mundur .

Sipas tij, reformat kushtetuese do të jenë substanciale në kuptimin e afirmimit të shtetit dhe të avancimit të proceseve integruese.

Qeveria e Kosovës është zotuar që ta vazhdojë procesin e regjistrimit të popullsisë edhe në veri të Kosovës, përkatësisht në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në tri komunat tjera veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka vlerësuar procesin e regjistrimit, në kuadër të cilit shihet edhe mundësia e zhvillimit ekonomik, përderisa ka thënë se ky regjistrim duhet të ndodhë edhe në pjesën veriore.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës janë në kontakte të vazhdueshme me UNOPS-in, EUROSTAT-in, Komisionin Evropian dhe mekanizmat tjerë dhe se ka premtime që ai proces do të vazhdojë dhe do të përfundojë shumë shpejt.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndihmë juridike falas, Projektligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe Projektligjin për efiçencën e energjisë, ndërkaq po ashtu ka miratuar edhe projektrregullorën për koordinim të donatorëve të përgatitur nga Ministria e Integrimit Evropian në bashkëpunim me ekspertë vendorë e ndërkombëtar.

Po ashtu, kabineti qeveritar ka ndarë një shumë prej 16 mijë e 500 euro për 28 prillin, festën memoriale të komunitetit turk në Kosovë.