Lajme Shqip Tuesday, 31 January 2012 15:14

Prishtinë- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha sot, gjatë homazheve para lapidarit të Heroit të Kosovës, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare, Zahir Pajaziti se, “jeta dhe vepra e komandantit Zahir Pajaziti do të mbetet gjithmonë udhërrëfyes për punën e institucioneve të Kosovës”.

“Sot, institucionet e shtetit dhe qytetarët e Kosovës, nderojnë me respektin më të lartë, veprën, jetën dhe heroizmin e komandantit më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarëve të tij, Edmondit dhe Hakifit”, tha kryeministri Thaçi.

Ne, vijoi ai, nderojmë me respektin më të lartë, me fuqinë dhe energjinë për të punuar edhe më tepër në konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë, për t’u integruar në NATO dhe Bashkim Evropian.

Kryeministri u shpreh se, “UÇK bëri të pamundurën me sakrificën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, që arriti të mobilizojë popullin në luftën për liri dhe pavarësi, prandaj sot shteti i Kosovës nderon komandantët e UÇK-së, luftëtarët e lirisë. Për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës kanë sakrifikuar të gjithë, dhe të gjithë qytetarët e Kosovës janë çlirimtarë”.

Në Prishtinë do të zhvillohet sot edhe një akademi përkujtimore për heronjtë e kombit, komandantin Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët e tij, Edomond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu.