Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 10:28

Prishtinë-Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për RTK, duke folur për zhvillimet e fundit, ka thumbuar pothuajse të gjithë kritikët e qeverisjes së tij, veçmas për fusnotën. “Edhe LDK edhe UÇK kanë pasur fusnota”, ka thënë Kryeministri, duke kërkuar nga themeluesit e LDK-së ta shpjegojnë këtë.

Ai ka komentuar edhe vendimin për rastin Kleçka, duke e quajtur vendim të drejtë. “Pretendimi për të bërë baraspeshë mes luftës çlirimtare dhe asaj gjenocidiale është i padrejtë. Limaj edhe në Hagë e ka fituar betejën. Edhe ditë më parë, vendimi i drejtë për Limajn dhe bashkëluftëtarët e tij dhe të mitë”, ka thënë Kryeministri.

Thaçi nuk është përgjigjur drejtpërdrejt nëse Limaj ka vend në qeveri, por ka thënë se Zv.kryeministri Hajredin Kuçi, i prezanton qëndrimet e qeverisë, i cili pati deklaruar se Limaj e ka vendin në qeveri. Edhe për ish shefin e SHIK-ut, Kadri Veseli ka shprehur mirëseardhje në PDK.

“PDK-ja e mirëpret Kadri Veselin. Ai ka dhënë kontribut, madje para veprimtarisë së partive politike. Sepse është njëri prej kontribuesve të jashtëzakonshëm për çlirimin e Kosovës. Që në lëvizjet e para. Unë e kam mik të mirë. Është në vullnetin e tij si dhe kur do të hyj në politikë”, ka thënë Kryeministri.