Lajme Shqip Monday, 25 July 2011 22:37

Prishtinë – Plasi sherri pas një urdhëri për të marrë pikat 1 dhe 31 në kufirin verior të Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shkarkuar Reshat Maliqin nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, pak çaste pasi vetë Thaçi ka urdhëruar njësitë special të policisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31, në kufirin verior të vendit.

Kryeministri Thaçi pritet ta emërojë ushtrues detyre të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunin, pas shkarkimit të Reshat Maliqit nga detyra.

Një zyrtar i lartë qeveritar i ka thënë portalit LajmeShqip.com se vendimin do ta marrë të martën ose të mërkurën. Maliqi është shkarkuar për shkak se kishte hezituar t’i dërgonte njësitë speciale të Policisë së Kosovës në veri për marrjen nën kontrollë të pikave kufitare 1 dhe 31 sic ka ndodhur në orët e mbrëmjes. Maxhuni për një kohë ka qenë dretor i Operativës në Policinë e Kosovës.

“Me vendimin numër 56/2011 të datës 25.07.2011, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shkarkuar nga detyra Reshat Maliqin, Drejtorin e Policisë së Kosovës”, është bërë e ditur në një njoftim zyrtar të Qeverisë së Kosovës.

Reshat Maliqi, në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës e kishte pasuar të dorëhequrin nga ky post, Behar Selimin, pas vendimit të këtij të fundit për të hyrë në politikë.

Pikat 1 dhe 31 të kufirit verior të Kosovës kanë qenë tash e  një kohë të gjatë jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës dhe janë konsideruar si vendkalimet më të frekuentuara të kontrabandës dhe të krimit të organizuar. (LajmeShqip.com)