Lajme Shqip Monday, 20 February 2012 23:05

Prishtinë-Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka marrë mbështetje nga disa prej vendeve anëtare të BE-së dhe nga vetë komisioneri europian i zgjerimit Stefan Fule për të vazhduar axhendën e integrimit euroatlantik të Kosovës.

Në një deklaratë të publikuar sot nga kryeministria në Kosovë thuhet se kryeministri Thaçi, në kuadër të angazhimeve të tij për fuqizimin e agjendës evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës, sot gjatë ditës ka zhvilluar disa biseda telefonike me personalitete të njohura, në mesin e tyre edhe me William Hague, Ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Carl Bildt, Ministër i Jashtëm i Suedisë, Eliot Engel dhe Gary Peters, Kongresmenë amerikanë , Ivo Josipoviç, President i Kroacisë dhe Stefan Fule , komisioner evropian për zgjerim.

“Tema kyçe gjatë bisedave ka qenë kërkesa e kryeministrit Thaçi që Kosova të mbështetet në negocimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Asociim dhe Stabilizim, në mënyrë që Republikës së Kosovës t’i hapen dyert drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin  Evropian”-vijon më tej njoftimi.

Sipas deklaratës, kryeministrit Thaçi i është rikonfirmuar nga të gjithë bashkëbiseduesit se Kosova do të ketë mbështetje të pa rezervë në realizimin e agjendës së saj evropiane dhe euro-atlantike. (LajmeShqip.com)