Lajme Shqip Tuesday, 06 December 2011 16:00

Prishtinë-Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, në një mënyrë apo një tjetër është edhe njohje ‘de jure’ e kufijve të Kosovës nga ana e Serbisë.

Kështu ka deklaruar kryeministri I Kosovës, Hashim Thaçi gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë ku bashkë me zëvendëskryeministren Edita Tahiri, kanë njoftuar kabinetin qeverisës për marrëveshjen e arritur në Bruksel javën e kaluar.

Sipas tij, marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit arrihet vetëm mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane dhe si e tillë marrëveshja e arritur në Bruksel, është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjeve të Kosovës.

“Menaxhimi i integruar i kufijve si model evropian garanton kalim të shpejtë dhe të lehtë të njerëzve dhe mallrave, por njëkohësisht siguron që autoritete përkatëse të Republikës së Kosovës të luftojnë dhe parandalojnë kontrabandën, trafikimin dhe krimin e organizuar që kishte lulëzuar veçanërisht në veri në 12 vjetët e kaluara. Me këtë marrëveshje është vënë ligjshëmria e plotë dhe sundimi i ligjit edhe në kufirin verior të Republikës së Kosovës. Por në të njëjtën kohë me këtë marrëveshje është edhe një njohje në një kuptim apo kuptimin tjetër edhe ‘de jure’ të Serbisë për Republikën e Kosovës, pra kufijve nga Serbia në raport me kufijtë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri shtoi se në të gjashtë pikëkalimet kufitare, do të zbatohet legjislacioni i Kosovës nga ana e të gjitha agjencive të Kosovës, ndërsa EULEX-i sipas ftesës së institucioneve të Kosovës, do të jetë aty për monitorim dhe të mbështes zbatimin e standardeve evropiane për menaxhimin e integruar të kufirit.

Po ashtu, sipas tij, simbolet shtetërore të Kosovës, do të jenë të vendosura kudo, si në Merdare, ashtu edhe në pikën 1 dhe 31.

“Ajo çka kërkohet tani edhe nga dëshmitarët dhe garantuesit e marrëveshjes ndërshtetërore, është përcjellja nga afër e fillimit të implementimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, në mënyrë që Serbia mos t’i bëjë bisht kësaj marrëveshje, sikur herave të tjera, dhe diçka e tillë do të kërkohet edhe ditëve të ardhshme në Bruksel, por edhe në SHBA”, është shprehur Thaçi. (LajmeShqip.com)