Lajme Shqip Thursday, 09 February 2012 09:55

Prishtinë -Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë të mërkurën në një takim me ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian në Prishtinë, në prani edhe të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, shefit të Zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zbogar.

Kryeministri Thaçi ka theksuar se Kosova tashmë ka hyrë në një nga vitet më të rëndësishme pas pavarësisë në atë të përmbylljes së Pavarësisë së Mbikqyrur dhe fillimit të materializimit të perspektivës sonë evropiane.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri Thaçi ftoi përfaqësuesit diplomatik që të vazhdojnë të mbështesin Kosovën, unanimisht në sfidat e saj.

“Kosova ka punuar shumë në përmbushjen e kritereve teknike për liberalizimin e vizave. Çdo obligim që do të jetë në udhërrëfyes do të trajtohet me prioritet. Ne do të përmbushim në afat rekord të gjitha kriteret. Ky është prioriteti për mua, për qeverinë dhe për popullin e Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Ai ka ritheksuar se në kuadër të avancimit te marëdhenieve mes BE-së dhe Kosovës do të duhet të nënshkruhet Marrëveshja e Stabilizim Asocimit.

“Pavarësisht vështirësive, qeveria që unë drejtoj dhe qytetarët e Kosovës kanë zgjedhur platformën evropiane dhe modelin evropian për ndërtimin e Kosovës. Si kryeministër, Kosovën evropiane ia kam borxh qytetarëve të mi, dhe unë do të mbikëqyr personalisht procesin e reformave. Unë besoj që ne edhe më tutje duhet të vazhdojmë angazhimet tona, dhe marrëveshjet e arritura t’i implementojmë në tërësi”. ka theksuar Thaçi. (LajmeShqip.com)