Lajme Shqip Tuesday, 02 August 2011 17:13

Prishtinë – Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Cooper, ka takuar sot në Prishtinë kryeministrin Hashim Thaçi, por nuk ka pasur asnjë deklarim për media. Merret vesh se temë bosht e takimit ka qenë dialogu Kosovë-Serbi. Për tri orë, Cooper ka biseduar me kryeministrin Thaçi, por palët nuk kanë pranuar të bëjnë deklarata për media.

Por, pas takimit është marrë vesh se kryeministri Thaçi ia ka bërë të qartë ndërmjetësit Cooper se “kemi vija të kuqe në dialog”. “Një nga to është se nuk dialogojmë për çështje të brendshme”, ka thënë prerë kryeministri i Kosovës.

Kryeministri Thaçi ka thënë pas takimit se Cooperit ia bëmë të qartë se nuk ka kthim prapa, në gjendjen e status quos. “Prekja e kufijve për Kosovën do të thotë hapja e kësaj teme në të gjithë rajonin”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Cooper ishte i shoqëruar nga përfaqësuesi special i BE-së për Kosovën, Fernando Gjentilini, ndërsa kryeministri Thaçi nga kryenegociatorja Edita Tahiri dhe zv/kryeministrja Mimoza Kusari-Lila, që është edhe ministre e Tregtisë.

Merret vesh se dialogu dhe vendimi i Qeverisë së Ksoovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë, ka qenë temë bosht e këtij takimi. Nga takimi nuk janë dhënë detaje se çka është biseduar.

Vizita e Cooper-it në Kosovë dhe Serbi vjen në kohën kur situata në veri të vendit është e tensionuar, ndërsa analistët në vend thonë se pas këtyre zhvillimeve, edhe dialogu Kosovë- Serbi është rrezikuar.

Anulimin e raundit të fundit të bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel, e kishte bërë ndërmjetësi Cooper, pasi që Serbia nuk e kishte pranuar marrëveshjen për doganat, përkatësisht nuk kishte pranuar t’i njohë vulat doganore të Republikës së Kosovës. Kjo u pasua me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të përdorur të njëjtat masa ndaj produkteve të Serbisë, gjë për të cilën Policia e Kosovës ndërmori aksionin për të marrë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31, përmes të cilave mallrat serbe hynin në Kosovë pa ndonjë problem. (LajmeShqip.com)