Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 18:45

Prishtinë – “Pikat kufitare në veri të Kosovës janë nën kontroll dhe atje nuk ka kontrabandë”, u shpreh sot kryeministri Hashim Thaçi, duke shtuar se “për herë të parë në historinë e Kosovës, vija kufitare me Serbinë kontrollohet nga vajzat dhe djemtë e Kosovës, të cilët garantojnë integritetin territorial të Kosovës”.

Këto komente kryeministri i bëri të enjten, gjatë vizitës në një biznes në komunën e Gjilanit.

Thaçi tha se marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it do të respektohet me përpikëri dhe se reciprociteti po vazhdon të respektohet dhe nuk ka asnjë dilemë se kjo çështje do të vazhdohet.

“Dy pikat kufitare në veri tanimë janë zona të kufizuara ushtarake dhe atje vlejnë rregullat ushtarake. Do të vazhdohet me zbatimin e plotë të axhendës së planifikuar të respektimit të masave të reciprocitetit dhe në atë çështje nuk do të ketë asnjë dilemë, asnjë pikëpyetje se a do të respektohet apo jo”, tha ai.

Sipas kryeministrit Thaçi, “përveç kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31, vendimi i 25 korrikut për marrjen në kontroll nga forcat e Kosovës të vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë po ndodh për herë të parë pas 12 viteve”.

Ai ritheksoi se pas 12 vjetësh për herë të parë veriu i vendit është vënë nën kontroll të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare. “Dëshiroj të theksoj e të sqaroj se ndoshta për herë të parë në historinë e Kosovës, vajzat dhe djemtë e Kosovës e mbajnë në kontroll vijën kufitare në këtë pjesë të Kosovës që kufizohet me Serbinë dhe garantojnë e ruajnë integritetin territorial të Republikës së Kosovës”.

Thaçi theksoi gjithashtu se në këtë drejtim qeveria do të punojë ngushtë me NATO-n.

Kryeministri Thaçi ritheksoi se Qeveria nuk është në konfrontim me qytetarët serbë atje, që edhe ata janë qytetarë të Kosovës dhe do të investohet atje.

Ai shtoi se “qeveria në pjesën veriore është në betejë me strukturat kriminale që mbajnë peng rreth 40 mijë qytetarë serbë”.

Sipas Kryeministrit Thaçi, “strukturat kriminale që kanë pretenduar për të sfiduar Qeverinë e Republikës së Kosovës, KFOR-in, EULEX-in dhe gjitha institucionet ndërkombëtare, do të ballafaqohen me drejtësinë”.

Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi kompaninë ASK Foods, që merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve në Livoç të komunës së Gjilanit, ku u njoh me zhvillimin e saj dhe reflektimin që kanë shënuar masat e reciprocitetit me Serbinë në sektorin e agrobiznesit kosovar.