Lajme Shqip Saturday, 19 November 2011 09:25

Prishtinë – Kosova është shtet funksional, tha dje pasdite kryeministri Hashim Thaçi, para shumë diplomatëve dhe personaliteteve nga e gjithë bota, në çelje të punimeve të konferencës “Germia Hill”,  në Prishtinë, duke shtuar se “jemi shtet evropian, me borxhet më të vogla, dhe jemi shtet ballkanik me rritjen më të madhe ekonomike”.

“Nuk ka më dilema, Kosova është shtet funksional. Kosovarët janë të barabartë, dhe për herë të parë, të gjitha komunitetet në Kosovë janë të lira”, theksoi ai.

“Të drejtat e komuniteteve respektohen në kuptimin më afirmativ të mundshëm. Tani ka ardhur koha e krijimit të mundësive të reja, dhe këto mundësi do të krijohen vetëm nëse projekti i integrimeve euroatlantike mbetet projekt i hapur dhe i realizueshëm”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri kosovar tha se “anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe Bashkimin Evropian  do të jetë faktor kyç për paqe dhe siguri jo vetëm në rajon dhe Evropë, por edhe më gjerë”.

“Sa më shpejt që të përmbyllet ky proces, aq më e sigurtë do të jetë e ardhmja jonë”, tha kreu i qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ne, tha Thaçi, i jemi mirënjohës bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, për ndihmën e dhënë në Kosovë dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Por, misioni dhe synimi ynë ende është për të punuar edhe më tepër, edhe për të përmbyllur këtë proces në tërësi. Ky mision mbetet i pa mbaruar deri në anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO të të gjitha shteteve të rajonit”, u shpreh ai.

Prandaj, vijoi kryeministri Thaçi,  kërkohet ende punë, jo vetëm në Kosovë, por në Serbi, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë dhe vende të tjera.

“Duhet të sigurohemi se sjellja jonë si shtete që aspirojmë anëtarësim në Bashkim Evropian dhe në NATO, është e bazuar në parime dhe praktika evropiane dhe perëndimore”, tha ai. Kjo është e rëndësishme të kuptohet kështu, sepse është e patolerueshme që një shtet që aspiron anëtarësim në Bashkim Evropian, të përdorë standarde të dyfishta. Këtë e them për të tërhequr vëmendjen tuaj lidhur me standardet që përdor Serbia në raport me Kosovën dhe Bashkimin Evropian”, theksoi kryeministri kosovar.

Ai tha se “kjo praktikë duhet të marrë fund. Një shtet që aspiron anëtarësim në Bashkim Evropian, nuk mund të cenoj sovranitetin shtetëror të një shteti tjetër, që gjithashtu synon anëtarësim në Bashkim Evropian”.

Prandaj, shtoi ai, ne kemi filluar dialogun teknik me Serbinë, me qëllimin më të mirë, që të mbyllim kapitullin e marrëdhënieve të hidhura, të gjejmë zgjidhje praktike, në interes të qytetarëve të dy shteteve sovrane, të promovojmë zgjidhje evropiane që na shpijnë kah Evropa e Bashkuar.

“Ne do të mbesim faktor i përgjegjshëm dhe konstruktiv si gjithmonë, jo vetëm në kuadër të këtij dialogu teknik, por edhe në kuadër të dialogut më të gjerë me Bashkimin Evropian, për të adaptuar standardet evropiane në qeverisje dhe ekonomi”, tha kryeministri Thaçi.

Në konferencën  ndërkombëtare “Germia Hill”, sot dhe nesër, marrin pjesë mbi 100 pjesëmarrës nga mbarë bota, përfshirë ministra të punëve të jashtme, diplomatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.