Lajme Shqip Tuesday, 15 April 2014 12:30

Universiteti Kinki ka nderuar me titullin e Doktorit të Nderit, kryeministrin e Kosovës ashim Thaçi, i cili këto ditë qëndroi për vizitë në Japoni. Në fjalimin e mbajtur në ceremoninë e pranimit të titullit, Thaçi theksoi rëndësinë e arsimit në zhvillimin e përgjithshëm të një populli. 

“Një shtet i ri përballet me shumë zgjedhje. Dhe zgjedhjet që bëhen në vitet e para do të formësojnë shekujt që pasojnë. Dhe, kështu ne jemi përpjekur të zgjedhim me mençuri. Kemi zgjedhur rrugën e marrë nga vendet e mëdha si vendi juaj”, tha kryeministri.

Sipas tij, Kosova do të mësojë nga gabimet e të kaluarës dhe nuk do të lejojë që të drejtat e një grupi të avancojnë mbi një tjetër. “Unë jam krenar që qëndroj para jush, si udhëheqës i një vendi që ka udhëtuar një rrugë të gjatë për këto gjashtë vite. Por, gjithashtu jemi të vetëdijshëm se ne kemi shumë më tepër për të bërë. Kur shikojmë përpara se çka ne duam të arrijmë, ne e dimë se e gjitha mbështetet në themelet e edukimit dhe mësimit”, tha Thaçi.

Ai ritheksoi mbështetjen që i ka dhënë nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet universitetit Kinki dhe Universitetit të Prishtinës. “Shpresoj se kjo do të çojë në një shkëmbim të njohurive në mes të këtyre dy institucioneve të mëdha. Unë dua të shoh studentët dhe profesorët kosovarë që vijnë këtu dhe të mësojnë nga ju, dhe ne duam të ju kthejmë këtë nder duke ju ftuar që të na bashkoheni në Prishtinë”, tha kryeministri i Kosovës.

Gjatë vizitës në Japoni, Thaçi ka zhvilluar takime me homologun Shinzo Abe dhe përfaqësues të tjerë të lartë shtetëtor të Japonisë.