Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 16:23

Prishtinë – Kosova dhe Serbia, si gjithë rajoni, në rrugën drejt integrimit evropian duhet ta kenë paraprakisht të përcaktuar qartë integritetin territorial, tha sot në mbledhjen e qeverisë, kryeministri kosovar Hashim Thaçi, i cili njoftoi se ka nisur largimi i disa barrikadave në veri të Mitrovicës e të vendit.

Duke iu referuar informacioneve të fundit, Thaçi tha se “tanimë ka filluar largimi i disa barrikadave në veri, që kanë qenë barrikada të instaluara prej strukturave kriminale”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të respektojë me përpikëri, mirëkuptimin e përbashkët me KFOR-in”, siguroi kryeministri Thaçi.

“Të gjithë ata që vazhdojnë t’i rezistojnë realitetit të ri, duhet ta kenë të qartë se nuk do të ketë perspektivë për bllokuesit, por do të ketë perspektivë të sigurt edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës rendi dhe ligji, lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave”, u shpreh kryeministri Thaçi.

“Marrja nën kontroll e kufirit të Kosovës me Serbinë në pikat 1 dhe 31 përfundimisht i ka dhënë kuptim vlerës së lirisë, pavarësisë, sovranitetit të Kosovës, por edhe perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

“Natyrisht, të gjitha vendet e rajonit e kanë aspiratë perspektivën evropiane, e kanë  qëllim, e kanë objektiv, por secili prej vendeve tona në rajon, në kuadër të kësaj edhe shteti i Kosovës, edhe Serbia, duhet ta kenë paraprakisht të definuar qartë integritetin territorial”, theksoi kryeministri kosovar. “Prandaj, përcaktimet tona dhe vendimet tona janë në përputhshmëri me Kushtetutën tonë, me ligjet tona, me dokumentat ndërkombëtarë, por edhe me standardet dhe vlerat evropiane”, theksoi kryeministri Thaçi në mbledhjen e qeverisë  së Kosovës.