Lajme Shqip Tuesday, 04 June 2013 11:56

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti delegacionin e Malit të Zi, i cili po qëndron në Kosovë me rastin e hapjes së Forumit të Miqësisë Kosovë – Mali i Zi “Radovan Zogoviq”, i kryesuar nga ministri malazez i kulturës, Branisllav Miçunoviq.

Ministri malazez i kulturës, Miçunoviq, shfrytëzoi rastin për ta falënderuar kryeministrin Thaçi për pritjen e ngrohtë që i është bërë delegacionit të Malit të Zi, si nga përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Kosovës, ashtu edhe nga ato kulturore, duke e konsideruar promovimin e Forumit si thellim të bashkëpunimit midis dy vendeve.
Kryeministri Hashim Thaçi falënderoi ministrin Miçunoviq për vizitën dhe shprehu mirënjohje për qeverinë dhe popullin malazez, për përkrahjen e Kosovës, njohjen e pavarësisë dhe mbështetjen në bashkëpunim rajonal.

“Raportet e mira midis Kosovës dhe Malit të Zi janë shembuj të mirë të fqinjësisë në rajon dhe tregues se dy vendet ndjekin rrugën e vlerave  evropiane,  me synimet e përbashkëta  për integrim në Bashkimin e Evropian” tha mes tjerash kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi e njoftoi delegacionin nga Mali i Zi me të arriturat Kosovës në zhvillimin ekonomik , në  infrastrukturën rrugore, për arritjen e Marrëveshjes së 19 prillit në Bruksel ,si dhe për integrimin dhe avancimin e bashkësisë së popullatës malazeze në institucionet e Kosovës.