Lajme Shqip Wednesday, 14 December 2011 20:24

Prishtinë-Konvoji me ndihma ruse nuk do të lejohet në asnjë mënyrë që të hyjë në Kosovë nëse nuk përmbushen procedurat që kërkohen.

Ka qënë kjo deklarata e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, ku  foli gjerësisht edhe për integrimin europian të Kosovës dhe axhendën e qeverisë për vitin e ardhshëm.

Thaçi, tha se në vend nuk ka krizë humanitare ndërkohë qeveria e Kosovës është e gatshme vetë t’i ndihmojë serbët e veriut.

Thaçi tha se ky është një vendim politik i qeverisë ruse dhe jo sepse ka krizë humanitare.

Ai tha se konvoji udhëhiqet nga ambasadori rus në Beograd dhe pavarësisht se cilët janë duhet respektojnë procedurat kufitare të shtetit të Kosovës.

Sipas kryeministrit Qeveria e Kosovës është e gatshme të ndihmojë me ushqime serbët e veriut, nëse kjo është e nevojshme njëjtë sikur ka qenë e gatshme të veprojë edhe në situata tjera.

Thaçi: 2012-ta, vazhdon viti i axhendës europiane

Kryeministri Thaçi deklaroi se viti i ardhshëm do të vazhdojë të mbetet viti i axhendës evropiane për Kosovën, vit i zhvillimit ekonomik dhe i rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve.

“Nga java e kaluar, me vendimin e Komisionit Evropian, Këshillit të Ministrave, liderëve të BE, për Kosovën në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian është hapur një kapitull i ri, kapitull i ri historik i ofertës konkrete të Brukselit për Republikën e Kosovës”, theksoi ai.

Kryeministri Thaçi tha se BE, edhe ato pesë vende që ende s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë qenë unike për liberalizimin e vizave dhe për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim.

“Është vlerësuar lart konstruktiviteti i Kosovës në proceset e raporteve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet, me Maqedoninë, Shqipërinë, edhe me Malin e Zi. Në të njëjtën kohë, i është dërguar qartë mesazhi nga Brukseli edhe fqinjit tonë, Serbisë, se integrimi në BE kalon përmes marrëdhënieve të mira ndërshtetërore me Republikën e Kosovës”, theksoi ai.

Sipas tij, kjo nuk është dhuratë nga BE, por është  meritë e Kosovës.

“Natyrisht, jam i bindur se në afat rekord do të implementojmë të gjithë listën e prioriteteve që dalin edhe për liberalizimin e vizave, edhe për marrëdhëniet kontraktuale me BE-në”, tha kryeministri i Kosovës në mbledhjen e qeverisë. (LajmeShqip.com)