Lajme Shqip Friday, 28 September 2012 11:01

Prishtinë -Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, gjatë një takimi në Nju Jork, me zv/presidentin e Sudanit Jugor, Riek Machar Teny, kërkoi njohjen e shpejtë të Republikës së Kosovës nga shteti i Sudanit Jugor, si hap të nevojshëm për fillimin e ndërtimit të raporteve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Zv/presidenti i Sudanit ftoi kryeministrin e Republikës së Kosovës për një vizitë shtetërore në Sudanin Jugor, ku do të diskutohej për ndërtimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, u njoftua mbrëmë nga Kryeministria kosovare.

Gjatë takimit, ku ishin edhe zv/kryeministri Pacolli dhe ministri i Punëve të Jashtme Hoxhaj, kryeministri Thaçi njoftoi zv/presidentin Teny në lidhje me zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës duke përfshirë reformat politike, ekonomike, veçanërisht me procesin e suksesshëm të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë.

“Republika e Kosovës ka për qëllim dhe vizion integrimin në BE, NATO, si dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, prandaj është e përkushtuar që të punojë dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur që të përmbush këtë vizion”, theksoi kryeministri Thaçi.(LajmeShqip.com)