Lajme Shqip Monday, 14 April 2014 13:12

Gjatë vizitës zyrtare në Tokio, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u prit nga homologu e tij, kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe. Të dy kryeministrat nënshkruan deklaratën e përbashkët për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.

Kryeministri japonez Abe, që në fillim falënderoi kryeministri Thaçi për vizitën e dytë zyrtare, e cila tregon për rëndësinë që Japonia i kushton Kosovës, edhe pse një shtet i ri, por me rol të rëndësishëm për paqen në Ballkan.

Abe theksoi tri pika të rëndësishme të marrëdhënieve me Kosovën. Së pari forcimin e marrëdhënieve bilaterale, në fusha të ndryshme, në të cilat nuk do të mungojë kontributi i Japonisë, si deri më tani. Së dyti, aspektet e sigurisë në rajon dhe së treti, kryeministri japonez theksoi se Japonia përkrah fuqishëm përpjekjet e Kosovës për integrime evropiane.

Ndërkaq, kryeministri Thaçi foli për kushtet dhe lehtësitë që krijon Kosova për investitorët e jashtëm, sidomos në energjetikë, në miniera dhe në agrikulturë.

Kryeministri Thaçi falënderoi qeverinë japoneze për kontributin e dhënë në fushë të kulturës, e veçanërisht në pajisjen e Filarmonisë së Kosovës me instrumente mjaft moderne.

Kryeministri Thaçi e njoftoi kryeministrin japonez me rezultatet e arritura në Bruksel, në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbinë, për fazat e implementimit të marrëveshjes, e cila ka krijuar një situatë të re në rajon dhe mund të shërbejë si model edhe midis popujve që kanë kaluar dhe kalojnë nëpër konflikte aktualisht.

Thaçi uroi kryeministrin Abe dhe Japoninë si organizatore e Lojërave Olimpike 2020, dhe kërkoi që Japonia ta ushtrojë ndikimin e saj në organizatat ndërkombëtare për ta shpejtuar të drejtën e Kosovës për të marrë pjesë në të gjitha organizimet sportive ndërkombëtare.

Abe shprehu konsideratë të lartë për qëndrimin e Qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Thaçi për marrëveshjen e Brukselit.

Kryeministri Thaçi e njoftoi homologun e tij se së shpejti do ta themelojë Grupin parlamentar për Japoninë, që ka për qëllim promovimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve.

Në fund, Thaçi kërkoi nga qeveria japoneze për të hapur zyrën e JICA si dhe mundësinë për të hequr vizat për studentët dhe afaristët nga Kosova.

Në fund të takimit dy kryeministrat nënshkruan Deklaratën e Përbashkët për bashkëpunim midis Republikës së Kosovës dhe Japonisë, që kanë të bëjnë forcimin e marrëdhënieve bilaterale, zhvillimin ekonomik bashkëpunimin kulturor, promovimin e bizneseve dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

Kryeministri Thaçi mban konferencë shtypi në Klubin e Jashtëm të Korrespodentëve (The Foreign Correspeondent’s Club). Në Foreign Correspondent’ s Club interesimet e gazetarëve ishin të fokusuara te kushtet që ofron Kosova për investitorët e huaj në fusha të ndryshme, veçanërisht në fushën e turizmit.

Kryeministri Thaçi mbajti ligjëratë në Universitetin Sophia, para studentëve dhe stafit akademik. Në ligjëratën e tij ai theksoi tri misionet e tij: lirinë e vendit, pavarësinë dhe zhvillimin ekonomik, që është edhe një nga arsyet e vizitës në Japoni./rtk/