Lajme Shqip Wednesday, 07 November 2012 10:44

Bruksel (PLOTESUAR 08nentor, 00:30) – Në Bruksel ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, nën ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Kryeministri Thaçi ka thënë se në takim është diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se theks i veçantë i është kushtuar Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM).

Për këtë të fundit, Thaçi ka thënë se është arritur pajtim që të flitet sërish në muajin dhjetor, kur edhe ka shfaqur shpresën se do të nisë të zbatohet.

Duke folur në një intervistë për Televizionin Publik të Kosovës, kryeministri ka thënë se është ngritur edhe domosdoshmëria e zgjidhjes së fatit të personave të pagjetur të luftës.

Thaçi ka thënë se është biseduar edhe për strukturat e Serbisë në Kosovë. Ai ka thënë se ka kërkuar që të bëhen transparente të gjitha mjetet materiale që Serbia jep për strukturat në veri, ashtu si edhe shuarjen e tyre.

“Ka struktura kriminale që mbajnë peng dhe të frikësuar qytetarët. I gjithë angazhimi ynë për veriun do të jetë në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri e ka vlerësuar takimin e së mërkurës në Bruksel si tejet konstruktiv dhe ka thënë se ka qenë më substancial se takimi i parë.

Takimi i parë në mes të Thaçit dhe Daçiqit është zhvilluar më 19 tetor, po ashtu nën praninë e baroneshës Ashton.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se është arritur pajtim për takime të tjera, ndërsa data e tyre do të caktohet nga kryediplomatja evropiane.

Takimet kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ashton në darkë pune me Thaçin e Daçiqin

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka nisur darkën e punës me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë të Serbisë, Ivica Daçiq.

Më herët, Ashton ka takuar ndaras në Bruksel Thaçin dhe Daçiqin.

“Presim që të dy ata të flasin hapur për vazhdimin e dialogut dhe tema të rëndësishme”, ka thënë zëdhënësja e Ashtonit, Maja Kocijançiq, për mediat në Beograd.

Takimi i sotëm Thaçi – Daçiq pason atë të 19 tetorit ndërmjet tyre, të zhvilluar po me ndërmjetësimin e BE-së.

Ai takim ishte përshëndetur nga Uashingtoni dhe Brukseli duke shprehur besimin se në fund të procesit të dyja vendet do të arrijnë deri te një stad i normalizimit të marrëdhënieve reciproke.

******************************************************

BRUKSEL (PLOTESUAR 07 NENTOR, 20:20)- Shefja e diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton, e cila ka ftuar kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë për bisedime të reja, ka nisur në këto momente takimin e kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi.

Lajmi konfirmohet nga Maja Kocijancic, zëdhënësja e shefes së diplomacisë Europiane Catherine Ashton.

Në Bruksel pritet të takohen sot Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi me homologun e tij serb, Ivica Daçiç, për të vazhduar bisedimet që synojnë normalizimin e raporteve.

Takimi i parë është mbajtur në muajin tetor, në zyrën e Baroneshës Ashton, në bisedimet e para të nivelit të lartë mes palëve, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. (LajmeShqip.com)

************************************************************

Bruksel –  Sot kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi do të takohet në Bruksel me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiç. Gjatë këti takimi, kryeministri ka paralajmëruar kërkesa për Daçiçin.

“E para që duhet të ndodhë është zbatimi i marrëveshjeve teknike të arritura në mes Kosovës dhe Serbisë në dy vitet e kaluara, dhe ajo që duhet të ndodhë urgjentisht është largimi i strukturave paralele të sigurisë, mbetjet e Millosheviqit në Kosovë, të cilat, gjithë bota e di, se financohen e kontrollohen nga Serbia”, ka thënë Thaçi.

Një çështje tjetër që duhet të zgjidhet, sipas Thaçit është edhe zbardhja e fatit të më shumë se 1.800 të pagjeturve në Kosovë.(LajmeShqip.com)