Lajme Shqip Wednesday, 31 August 2011 12:56

Prishtinë – Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar deputetë për aksionin policor që forcat e ndjekjes e kanë zhvilluar sot në veri. Ai tha se janë konfiskuar evidenca të rëndësishme dhe armë të ndryshme që janë përdorur në veprimet e strukturave kriminale.

Kryeministri Hashim Thaçi e njoftoi Kuvendin e Kosovës me operacionin e sotëm në veri. Ai tha se organet e ndjekjes dhe forcat e KFOR-it kanë zhvilluar operacionin për kapjen e personave të dyshuar si pjesë e strukturave kriminale. Kryeministri bëri të ditur se Prokuroria e Kosovës ka lëshuar një numër të fletarrestimeve për të dyshuarit e vrasjes së policit Enver Zymberi dhe kryerjen e veprave të tjera kriminale.

Sot organet përkatëse të ndjekjes, së bashku me ndihmën e KFOR-i, janë duke vazhduar një operacion të gjerë në veri të vendit për kapjen e personave të dyshuar si pjesë e strukturave kriminale. Operacioni ende nuk ka përfunduar, por mund t’ju them se aktualisht janë konfiskuar evidenca të rëndësishme, por edhe armë të ndryshme që janë përdorur në veprimet e strukturave kriminale.

Kryeministri Thaçi përsëriti se Beogradi qëndron prapa këtyre strukturave kriminale, për pjesëtarët e të cilëve tha se edhe mund të jenë të fshehur, por asnjëherë nuk do të mund t’i shpëtojnë drejtësisë. Ai tha se, sipas të dhënave të institucioneve të rendit të Republikës së Kosovës, rezulton se këto strukturat kriminale po shndërrohen në struktura paramilitare.

Nuk jemi duke pushuar asnjë dite në angazhimet tona që këta të përballen me drejtësinë. Mesazhi për Beogradin është të mos i strehojë vrasësit e policit të Kosovës, të distancohet nga politika e Sllobodan Millosheviqit. Beogradi e ka për obligim të respektojë fletarrestet ndërkombëtare. Sundimi i rendit dhe ligjit është parakusht për vetë ekzistencën e shtetit tonë.

Kryeministri iu tha deputetëve se sundimi i rendit dhe ligjit janë parakusht thelbësor për vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Ai tha se për procesin e integrimeve evropiane është parakusht edhe fqinjësia e mirë dhe në këtë kontekst përmendi dialogun me Serbinë, për të cilin tha se institucionet e Kosovës janë të interesuara ta vazhdojnë.

Kuvendi po vazhdon seancën plenare me shqyrtimin e disa projektligjeve të cilat konsiderohen me prioritet për raportin e progresit të Komsionit Evropian për Kosovën. (LajmeShqip.com)