Lajme Shqip Wednesday, 07 November 2012 18:25

Zagreb – Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Republikën e Kroacisë, kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi është pritur nga kryetari i Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviq, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin në mes dy vendeve dhe për zhvillimet politike në rajon.

 Sipas një komunikate nga Qeveria e Kosovës, në takim janë vlerësuar lartë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Kroacisë dhe është shprehur gatishmëri për thellimin e këtyre marrëdhënieve në fushat me interes të përbashkët.

 Kryeministri Hashim Thaçi në takimin me presidentin kroat ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore më të gjitha vendet e rajonit.

“E ardhmja e Kosovës dhe të gjitha vendeve të rajonit është e ardhmja e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në këtë rrugë duhet të ndërtojmë partneritet dhe bashkëpunim të gjithanshëm”.

 Në takimin e kryeministrit Thaçi me presidentin Josipoviq është biseduar edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur angazhimin e shtetit të Kosovës për të ndërtuar raporte normale ndërfqinjësore me shtetin e Serbisë dhe për njohjen reciproke të të dyja vendeve.

Thaçi ka shprehur falënderimin për mbështetjen që Kroacia ka ofruar deri tani për Kosovën, dhe angazhimin e saj për të ndihmuar në proceset e integrimit evropian dhe për stabilitetin në rajon.(LajmeShqip.com)